Chollet: Marrëveshja përfundimtare do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.
“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise”, thotë Chollet.
Duke folur një ditë para vizitës së pesë emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, Chollet thotë se ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por thekson se “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do do ta lejojë”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do ta çonim përpara”, thotë Chollet.
Duke komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale serbe, KM, të regjistruara në dhjetor e këndej, Chollet thotë se ky “është pikërisht ai lloj hapi që SHBA-ja nuk ka dashur ta shohë”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Chollet, si e komentoni vendimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të paligjshme serbe – KM, dhe me regjistrim të rinovuar?
Derek Chollet: Fatkeqësisht, ky është pikërisht ai lloj hapi që nuk kemi dashur ta shohim. Kur kam qenë në rajon, javën e kaluar, e kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara, duke punuar me partnerët evropianë, duan të dalin nga punët e diplomacisë së krizave – ne, thjesht, kalojmë nga një krizë në tjetrën – dhe të ecim përpara në dialogun që udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE-ja, drejt normalizimit që bazohet në njohje reciproke.
Mendoj se hapat e 24 orëve të fundit, që ka shpallur Prishtina, nuk janë në përputhje as me letrën dhe as me frymën e marrëveshjeve në fund të nëntorit, të cilat kanë shmangur një krizë të mëparshme. Mendojmë se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme tani.
Ne duhet të kemi një rrugë të koordinuar përpara, në mënyrë që këto gjëra të mos i përshpejtojnë llojet e krizave që ne me të vërtetë duhet t’i shmangim. [Ato] e largojnë vëmendjen tonë nga puna e rëndësishme e dialogut.
Të premten, këtë javë, do të ketë takime të rëndësishme [v.j. në Prishtinë e Beograd], ku do të mblidhen këshilltarët për siguri kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me përfaqësuesin e BE-së [Mirosllav Lajçak] dhe me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kemi folur shumë për rëndësinë e këtyre takimeve dhe për disa detaje kur kam qenë në rajon javën e kaluar – në Prishtinë dhe Beograd. Ne, vërtet, duam që kjo të ketë sukses. Dhe, ky lloj njoftimi krijon një shpërqendrim dhe mund të çojë në një krizë që e bën gjithë këtë përparim shumë më të vështirë.
Radio Evropa e Lirë: Po flasim një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm [perëndimorë] në Kosovë dhe në Serbi. Çfarë prisni nga kjo vizitë? A po sjellin ata ndonjë zgjidhje për t’i rikthyer dy palët në tryezë?
Derek Chollet: Përsëri, është shumë e rëndësishme që vizitat bëhen dhe që palët bisedojnë. Kjo vizitë është një vazhdim i vizitave të mëparshme, në fund të vitit të kaluar. Është një moment shumë i rëndësishëm.
Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Nuk presim që kjo situatë të zgjidhet gjatë këtyre takimeve nesër. Por, është një pikë e rëndësishme kthese.
Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë.
Radio Evropa e Lirë: Pas vizitave më të fundit në Kosovë dhe Serbi, a mund t’i ndani përshtypjet tuaja nëse dy vendet janë të gatshme ose mund të pajtohen për ndonjë gjë, sa i përket marrëveshjes përfundimtare?
Derek Chollet: Po, kam parë arsye për shpresë në bisedat në Prishtinë dhe në Beograd. Por, kjo do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik. Dhe, ajo që kam dashur t’ua bëj të qartë liderëve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, ka qenë rëndësia që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë këtij procesi, shpresat që i kemi për këtë proces dhe mundësitë potenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, nëse janë në gjendje të gjejnë një mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Mendojmë se rruga euroatlantike për Kosovën dhe për Serbinë ekziston. Dhe, ne duam t’i shohim ato duke ecur në atë rrugë. Por, do të jetë e vështirë, për aq kohë sa kjo çështje mbetet e pazgjidhur. Dhe, kjo është arsyeja përse do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta promovuar këtë ecje përpara.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë disa nga zgjedhjet e vështira që të dyja palët duhet t’i bëjnë?
Derek Chollet: Shikoni, nuk dua të futem në detaje. Do të ishte gjë e pamatur nga unë të flas publikisht për ato zgjedhje. Thënë kështu, të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme.
Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise. Por, gjithashtu, duam të jemi të qartë për rrugën e mundshme. Dhe, mendojmë se e mira e të pasurit të kësaj marrëveshjeje, e lëvizjes drejt normalizimit, është shumë, shumë e qartë për Kosovën, shumë e qartë për Serbinë.
Sipas mendimit tim, jeta e njerëzve në Kosovë dhe në Serbi do të bëhej padyshim më e mirë, nëse ata janë në gjendje ta rregullojnë këtë dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet përgjatë linjave të propozimit të BE-së.
Por, ka shumë detaje për t’u zgjidhur. Nuk dua të keqinformoj audiencën tuaj në asnjë mënyrë. Kjo do të jetë e vështirë, ashtu siç janë të gjitha negociatat në Ballkan. Por, ne mendojmë se ka shpresë dhe se ky është një moment i favorshëm.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë së fundi se Serbia nuk do të pranojë kurrë që ta njohë Kosovën, as zyrtarisht, as jozyrtarisht dhe as nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në çfarë drejtimi shkon procesi i negociatave me një qasje të tillë të Serbisë?
Derek Chollet: Sërish, nuk dua të flas publikisht për negociatat. E gjitha që mund të them është të përsëris se besojmë që ka shpresë që mund të bëhen kompromise nga të dyja palët.
Kjo do të jetë e vështirë. Kjo do të kërkojë kurajë, do të kërkojë guxim. Ne besojmë se liderët e kanë këtë, ne jemi duke i testuar ata dhe jemi duke qenë të qartë me ta për mundësitë potenciale që mund të vijnë kur ta kemi këtë lloj marrëveshjeje.
Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ka thënë se ai përbën bazë të mirë për negociata, por a ju kanë treguar zyrtarët serbë se çfarë mendojnë për të?
Derek Chollet: Ata ia kanë treguar Bashkimit Evropian një pjesë të opinionit të tyre, në rundin e parë të diskutimeve. Natyrisht se do të marrim më shumë përgjigje pas bisedimeve të së nesërmes. Prandaj, kemi shumë shpresa që këto bisedime do të jenë konstruktive, që njerëzit t’iu qasen me mendje të hapur dhe të gjejmë një rrugë përpara.
Ne, po ashtu, mendojmë që ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja përbën bazë të mirë për diskutim. Në secilin negocim do të ketë sprova. Do të ketë kompromise, që do të duhet të bëhen. Ne besojmë se korniza bazë dhe detajet e këtyre negociatave janë të qëndrueshme, ndonëse do të mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
“Ka ardhur koha që Asociacioni të zbatohet”
Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë në Prishtinë se jeni duke pritur Qeverinë e Kosovës që të prezantojë disa propozime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A keni parë ndonjë lëvizje në këtë drejtim?
Derek Chollet: Ende jo, fatkeqësisht. Mirëpo, ne kemi qenë shumë të qartë – publikisht dhe privatisht – se ne besojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet. Janë disa detaje me të cilat duhet marrë. Mirëpo, ne mendojmë se ky është një zotim që është bërë në të kaluarën, ne besojmë se krijimi i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ne jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që kjo nuk është diçka sikurse Republika Sërpska, si entitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do të çonim përpara.
Mirëpo, e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga liderët serbë nga veriu, rëndësinë që ata e shohin në Asociacion, se si ata disi ndihen të shmangur nga vendimet që merren për komunitetin e tyre dhe duan të jenë pjesë e procesit, qoftë edhe duke marrë më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre.
Kjo është diçka që ne promovojmë, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe është zbatim i një vendimi që është marrë kohë më parë.
Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës nuk ka bërë lëvizje, siç thatë ju. Këtë javë, ata, gjithashtu, thanë se nuk e përkrahin themelimin e Asociacionit. A ka ndonjë rrugëdalje nga Asociacioni për Qeverinë aktuale të Kosovës?
Derek Chollet: Përsëri, unë nuk dua të spekuloj për rrugëdalje të mundshme, sepse ne besojmë që zotimet që janë bërë, duhet të zbatohen. Ne besojmë se ato janë zbatueshme dhe ne besojmë se ato duhet të zbatohen.
Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta bëjmë pjesën tonë në tentim për t’u siguruar se çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është. Por, ne mendojmë se ka ardhur koha që Asociacioni të zbatohet.
Radio Evropa e Lirë: Herën e kaluar, zotëri Escobar na tha se nëse Qeveria e Kosovës nuk përfshihet në themelimin e Asociacionit, SHBA-ja mund të nisë diskutime me partnerë alternativë. A do të ishte ky hapi i radhës për SHBA-në?
Derek Chollet: Përsëri, unë nuk dua të spekuloj për hapat e radhës. E gjitha që mund ta them është se ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojmë t’ua bëjmë shumë të qartë partnerëve tanë në Prishtinë – publikisht dhe privatisht – rëndësinë e Asociacionit për ne, pikëpamjen tonë se ky është një zotim i mëhershëm që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk po e krijon një Republika Sërpska.
Ne do ta bëjmë pjesën tonë në tentimin për ta çmitizuar Asociacionin në disa mënyra, sepse mendoj se ka shumë pasiguri lidhur me çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është.
Ne do të jemi shumë të qartë për pikëpamjet tona lidhur me këtë, rëndësinë që ka për ne dhe, gjithashtu, që nuk do ta krijojë një entitet sikur Republika Sërpska brenda Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A ka filluar SHBA-ja të kërkojë për partnerë alternativë? Kush janë ata për këtë çështje?
Derek Chollet: Përsëri, unë nuk dua të hyj në detaje për këto gjëra tani. E gjitha që mund ta them është se ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë, publikisht dhe privatisht, rëndësinë që ka për neve dhe vijën e kuqe që kjo nuk është një Republikë Sërpska.