Ferit Idrizi për RTV21 tregon cili është projekti më madhor i këtij mandati

Qyteti antik i Kosovës, Vushtrria do të bëhet me një treg të gjelbër. Kështu ka thënë kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi në një intervistë për portalin rtv21.tv.
Idrizi tha se prej që e ka marrë mandatin e të parit të Vushtrrisë ka inicuar projektin për ndërtimin e një tregu të gjelbër duke theksuar se ky është projekti më madhor i këtij mandati dhe që i ka munguar qytetit.
Rregullimi i tregut kap vlerën e 625 mijë eurove, ku 375 mijë janë të financuara nga “Relief Islamic” ndërsa 250 mijë nga Komuna e Vushtrrisë.
Sipas kryetarit projektet tjera do të fillojnë të inicohen shumë shpejt, por nuk ka treguar as kohë, as për cilat projekte bëhet fjalë.
I pyetur se është buxheti i Komunës, Ferit Idrizi nuk ka përmendur shifra, por ka thënë se ai buxhet nuk i mjafton Vushtrrisë.
“Investimet do të jenë aty ku prekin drejtë për drejtë interesin e qytetarëve, normalisht buxheti nuk është i mjaftueshëm, por do të bëjmë pëpjekje që brenda mundësive dhe kapaciteteve buxhetore të vazhdojme më projekte për qytetin dhe qytetarët e Vushtrrisë”, ka thënë ai.
Gjatë intervistës, Idrizi ka treguar se me çka po iu del në ndihmë Komuna, 1 mijë e 470 familjeve vushtrriase me asistencë sociale.
“Rastet sociale të cilat nuk kanë të zgjedhur çështjen e banimit, komuna u ndihmon në ndërtimin e shtëpive në bashkëpunim me shoqata të ndryshme, një pjesë tjetër e rasteve sociale të rënda, komuna u paguan qiranë e banimit, i liron nga pagesa e mbeturinave, pagesa e participimit në shërbime shëndetësore”, ka thënë kryetari për rtv21.tv.
Kreu i Vushtrrisë, Ferit Idrizi tutje ka shpalosur edhe planet sa i përket fushës së shëndetësisë.
“Sa i përket shëndetësisë kemi planifikuar organizimin e një ekipi të terrenit për shërbime shëndetësore për qytetarë, kemi paraparë vizitat sistematike për nxënësit e klasave të para në shkollat e komunës, menaxhimi sa më i mirë dhe shpërndarja e barërave në KPSH si dhe rritje e të hyrave duke rritur përgjegjësinë për mbledhjen e këtyre te hyrave si dhe menaxhimi sa më i mirë i fondeve të dedikuara për KPSH. Gjithashtu vlen të përmendet vazhdimi i bashkëpunimit më organizatën Islamic Relief me qëllim të implementimit dhe finalizimit të projektit që ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore me rastin e vizitave mjekësore nga ana e stafit shëndetësor, pa pagesë për të gjithë banorët e komunës, me fokus në vizita në shtëpitë e tyre e përfitues direkt janë:
– Gratë lehona dhe foshnjet/ fëmijët,
– Gratë gjidhënëse (ngritjen e vetëdijes dhe informacione esenciale për trajtimin e kancerit të gjirit),
– Persona të moshës së tretë,
– Persona me aftësi të kufizuara,
– Persona me sëmundje kronike”, ka thënë ai.
Komuna e Vushtrrisë ia ka besuar grave udhëheqjen e 5 drejtorve komunale, po ashtu edhe udhëheqjen e kuvendit./21Media

Back to top button