Festat rrisin çmimet

Çmimet e produkteve janë vazhdimisht në rritje, konfirmon Agjencia e Statistikave e Kosovës. Matjet e saj të fundit treguan se çmimet janë më të larta për 3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Tani kur ditët e festave të fundvitit po afrohen qytetarët ankohen se e kanë të vështirë që ta mbyllin muajin me pagat që marrin.

“20 euro me kanë mbete deri ne fund te muajit une nuk e di qysh”, tha një qytetar.

“Ja me pagat që marrim shumë zor u ba”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Po ktu s’ka as inpsketim as kontrollë as kurgjo”, tha tutje një qytetar.

Me afrimin e festave të fundvitit, gjithmonë ka pasur tendencë që çmimet e produkteve të rriten, por si do të kontrollohen dhe a do të ndëshkohen tregtarët që manipulojnë me çmime?

“Inpektorët e tregut të ministrisë së industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë në vazhdimësi kryejnë inspektime lidhur me abuzimet eventuale me çmimet e produkteve. Kryesisht në raste festash fokusi më i madh i inspektorëve janë çmimet e produkteve, në mënyrë që të parandalohen mundësitë për abuzime, me qëllim që të mbrohet konsumatori. Inspektorati aktualisht ka 13 inspektorë të tregut dhe të gjithë do të jenë të angazhuar në mbikëqyrjen e tregut edhe çështjen e çmimeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për RTV21.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, për RTV21 tha se me çmime manipulohet gjatë gjithë vitit dhe sipas tij nuk mbrohet nga askush.

“Po 365 ditë të vitit janë feste, nihere del e premtja e zezë, pastaj e premtja e kaltër, pastaj e premtja sylaroshe, pra në vazhdimësi konsumatori mashtrohet dhe manipulohet dhe nuk kontrollohet nga askush”, tha Kaçaniku.

Njohës të fushës së ekonomisë në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimin e tyre me normën e lartë të inflacionit, e cila sipas tyre në vitin 2024 do të arrijë mbi 20 për qind./21Media

Back to top button