“Festivali i Pranverës” me biçikleta e trotinete, bllokohen disa rrugë në Prishtinë

Komuna e Prishtinës po fillon edicionin më të ri në Kryeqytet të ashtuquajturin “Festivali i Pranverës” me moto mobiliteti.
““Festivali i Pranverës” është një demonstrim i drejtpërdrejtë se si qyteti mund të bëj një hap të guximshëm për të krijuar një kulturë transporti urbane të menduar përmes ekomobilitetit. Pjesa qendrore e qytetit pranë katedrales ”Nena Terezë” – Rruga “Xhorxh Bush’’, do të shndërrohet në një hapësirë të dedikuar për komunitetin për dy ditë me radhë në fundjavë, më 21 dhe 22 Maj ,ku përmes rekreacionit, muzikës e artit do të demonstrohet prezenca në pjesën kryesore të qytetit dhe mundësia për shfrytëzim me të madh të hapësirave të përbashkëta.”, thuhet në njoftimin e komunës.
Kësisoj, “Festivali i Pranverës” do të vazhdojë të organizohet në edicione çdo vit, me më shumë aktivitete rekreative dhe do jetë një skenë e së ardhmes e lëvizshmërisë urbane, njofton komuna.
Sipas komunikatës, kjo iniciativë ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë përmes zgjidhjeve kreative ekomobile duke i‘u ofruar mundësinë qytetarëve të përjetojnë udhëtimin përmes transportit alternativ të integruar gjithëpërfshirës e të shëndetshëm (biçikleta, trotinet, skateboard), gjë që do të përmirësojë cilësinë e jetës në Kryeqytet.
“Për shkak të aktiviteteve, të cilat do të mbahen me rastin e organizimit të Festivalit, më 21 dhe 22 maj, prej orës 07:00 në mëngjes deri në orën 21:00 këto rrugë do të jenë të mbyllura gjatë fundjavës: Rruga ‘Xhorxh Bush’, duke vazhduar në drejtim të Bankës Qendrore Rrugës ‘Garibaldi’, deri te semaforët pranë Bankës Qendrore të Kosovës. “Festivali i Pranverës” ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë, andaj mos hezitoni; merrni biçikletat, trotinetët apo ecni në këmbë dhe bashkojuni iniciativës për transformimin e Kryeqytetit.”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button