​Fetahu: Huliganizmi problem shqetësues në basketboll, këtë vit kemi dy synime të mëdha

Rritja e nivelit dhe kualitetit brenda klubeve të basketbollit bëri që viti 2022 të shënojë ngritje të dukshme të cilësisë së Superligës së Kosovës duke bërë që edhe palestrat sportive të jenë të stërmbushura nga tifozët.
Të vështirë por mjaftë të suksesshëm vitin e kaluar po e konsideron edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu.
Ai ka thënë se basketbolli i Kosovës është kthyer aty ku e ka vendin dhe se organizimi i garave ka qenë në një nivel tjetër.
“Ka qenë një prej viteve më të vështira në kuptimin organizativ për ne si federatë për shkak të pikërisht këtyre aktiviteteve. Nga janari deri në dhjetor vërtetë kemi pasur shumë pak kohë për të marrë frymë edhe për të menduar se çfarë duhet të bëjmë për këtë vit në të cilin kemi hyrë dhe tutje, por ka qenë gjithashtu, na jep shumë kënaqësi fakti që basketbolli vërtetë është kthyer aty ku e ka vendin. Kemi parë një interesim të jashtëzakonshëm prej momentit kur i kemi hapur dyert, pas pandemisë e tutje, e kemi parë një interesim të jashtëzakonshëm, kemi parë një Kupë të Kosovës të organizuar shumë mirë me basketboll cilësor, pastaj kampionati, përfundimi i tij, Superkupa, Superkupa Mbarëkombëtare, Final Four i Ligës Unike… Sigurisht se të gjitha këto nuk mund të bëhen pa shumë mund, pa shumë punë të stafit të federatës edhe bordit të federatës i cili e menaxhon krejt këtë çështje”, ka thënë Fetahu në një intervistë për KosovaPress.
Gjatë vitit 2023, Fetahu ka thënë se do të punohet shumë me grupmoshat e reja, me një fokus të veçantë tek basketbolli i femrave, Por, vëmendja më e madhe do të jetë në konsolidimin e ekipeve kombëtare në mënyrë që rezultatet të jenë më të mira se sa ishin deri më tani.
“Ajo që do të identifikoja si diçka që lë për të dëshiruar, për mua personalisht, por edhe sipas vlerësimit të federatës në përgjithësi, është mungesa e rezultateve të cilin e kemi pasur me reprezentacionet tona. Nëse më pyet cilat do të jenë dy fokuset kryesore, dy fokuset kryesore do të jenë shtrija dhe ekspansioni i mëtejmë i 3×3-shit edhe do të jetë fokusi i plotë në përfaqësueset tona. Përfaqësuese A të meshkujve dhe femrave, përfaqësueset e A të 3×3-shit në të dy konkurrencat edhe përfaqësueset e reja. Ne sivjet do të marrim pjesë me pesë sosh në kampionate evropiane edhe shpresojmë që të kemi një rezultat më të mirë se sa vitin që e lamë pas”, theksoi Fetahu.
Tutje, i pari i FBK-së zbulon se në vitin 2023 në Kosovë do të fillojë implementimi i një prej projekteve më të mëdha që ka njohur Kosova ndonjëherë.
“Këtë vit do ta kemi një prej projekteve më të mëdha sportive që i njeh Kosova prej pavarësimit të saj, do të thotë do ta kemi një projekt të madh të cilin e kemi miratuar bashkërisht, e kemi hartuar, për të cilin e kemi përkrahjen edhe te qeverisë sonë edhe te sponsorit privat për ta shtyrë tutje. Kjo ka të bëjë me organizimin e garave 3×3 nëpër shkolla për nxënësit e klasave të gjashtë dhe shtata. Fillimisht do të fillohet me një pilot-projekt prej 10 komunave më të mëdha e pastaj do të shkohet viteve në vijim me shtrirjen e tyre të plotë. Do të thotë po flitet, sipas parashikimeve, që ne tashmë i kemi dhe me shifrat të cilat tani jemi duke u marrë do ta kemi një përfshirje të gjerë të fëmijëve në garat shkollore të 3×3-shit. Me këtë po besojmë dhe jemi të bindur se do ta stimulojmë dashurinë për 3×3-shin dhe për basketbollin në përgjithësi tek fëmijët”, theksoi Fetahu.
Derisa flet për rikthimin e basketbollit në majat e tij, Fetahu theksoi se kjo nuk ka ndodhur vetëm për shkak të efekteve financiare që solli Ligji i sponzorizimit për klubet.
“Ligji i sponsorizimit ka bërë që të kemi ngritje eksponenciale të buxheteve të klubeve të Superligës për shkak të interesit të cilin publiku e ka për basketbollin sepse natyrisht që secili biznes ka dëshirë të jetë i pranishëm aty ku ka interesim, ndërsa interesimin në basketboll ne e kemi pasur edhe para Ligjit të sponsorisimit. Kështu që unë ia atribuoj një masë të madhe të këtij zhvillimi ligjit, por meritën kryesore për atë se ku basketbolli është sot nuk e ka ligji, meritën kryesore e kanë të gjithë ata njerëz të cilët për 20 vite me radhë i kanë mbajtur këto klube të gjalla edhe e kanë kultivuar dashurinë për klubet e basketbollit përtej dashurisë për sportin në përgjithësi me mjetet e veta vetanake. Ata e kanë meritën kryesore”, shtoi Fetahu.
Ashtu sikur të gjitha federatat e tjera, edhe ajo e basketbollit iu nënshtrua procesit të licencimit gjatë vitit 2022 të cilin e përfundoi me sukses, por Fetahu është i shqetësuar se disa klube të Superligës ende nuk e kanë kryer atë.
“Ne e përfunduam këtë në fund të vitit të kaluar, e përfunduam, e përmbyllëm si proces bashkë me një numër të konsiderueshëm të klubeve tona, por jo të gjitha klubet kanë arritur që ta përmbyllin procesin gjatë vitit 2022 edhe ne një afat të brendshëm të cilin ia kemi dhënë vetes si federatë për t’i shtyrë të gjitha klubet që të kalojnë nëpër këtë proces të licencimit është që ta përfundojnë këtë deri në fund të janarit të këtij viti. Përndryshe, duhet ta kuptoj këtë edhe komuniteti edhe shikuesit tuaj, se licencimi është bërë i kushtëzuar. Do të thotë, ne i kemi nga data kur e kemi marrë licencën, i kemi 90 ditë për t’i përmbushur të gjitha kushtet, jo Federata e Basketbollit, po klubet të cilat janë në regjistrin e Federatës së Basketbollit, përndryshe, edhe licenca jonë e cila zgjatë deri në fund të vitit 2024 mund të pezullohet ndërkohë. Natyrisht se në një gjë të tillë nuk do të mund ta lejojmë”, ka thënë Fetahu.
Ajo që prishi gjithë imazhin e mirë të basketbollit gjatë vitit 2022 ishte huliganizmi në palestrat e basketbollit që kulmoi me përplasjen e madhe në finalen e Superkupës së Kosovës ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës ku pati disa persona të lënduar por sipas Fetahut kishte rrezik të kishte edhe viktima. Ai tregon hapat e ndërmarrë për ta ndaluar këtë dukuri negative.
“Ne tifozët nuk po i ndalim, as nuk i kemi ndalur në asnjë moment. Ne duhet të bëjmë mjete për ta ndalur huliganizimin, ne duhet t’i ndalim ata të cilët vijnë me idenë për shfryrje të mllefit edhe me idenë për shndërrimin e palestrës sportive në një arenë të luftës e cila është pa kauzë edhe te shfryrjes së agresivitetit ndaj gjithçkaje që e rrethon. Ne një gjë të tillë veç thjeshtë nuk mund ta lejojmë sepse përndryshe ka rrezik që të eskalojë deri në nivel të pariparueshëm. Nuk është se nuk ka eskaluar atë ditë (ditën e finales së Superkupes). Fatmirësisht nuk kemi pasur viktima atë ditë, por shumë lehtë kemi mundur të kemi edhe viktima… Një, nuk mund të ketë më tifozë mysafirë, përderisa kemi sjellje të tilla edhe ky është vendim definitiv i Federatës së Basketbollit. Kam thënë se do ta shfrytëzojmë si test, për fat të keq në test ramë… Nuk mund ta lejojmë udhëtimin e tifozëve mysafirë nëpër palestrat e tjera edhe për një periudhë të caktuar, së paku deri në njërën prej mbledhjeve të ardhshme të këshillit nuk do të mund të lejojmë tifozeri të organizuara brenda palestrave të basketbollit”, ka thënë në fund Fetahu.
Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të gjithë personat që nxisin aktet e dhunshme në palestrat e basketbollit të vendosen para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara.

Back to top button