FFK reagon pasi dy futbollistë humbën jetën tragjikisht në aksident

Federata e Futbollit të Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimi familjeve të dy futbollistëve të rinj, Molos Delija dhe Lordon Syla të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor në Prizren.

Të dy lojtarët ishin pjesë e klubit të futbollit “Gjakova” dhe FFK ka thënë se ky rast tragjik ka prekur të gjithë pasi është ndalur në gjysmë ëndrra e tyre.

Reagimi i plotë i FFK-së:

Të nderuara Familje Delija dhe Syla!

Me pikëllim të madh e morëm lajmin për vdekjen tragjike të më të dashurve tuaj, Molos Delija dhe Lordon Syla.

Në këto momente të vështira për familjet e juaja, nuk ka fjalë që mund të shprehin plotësisht dhimbjen tonë për humbjen e dy ish-futbollistëve, të cilët jo vetëm ishin pjesë e KF “Gjakova”, por edhe burim dashurie dhe inspirimi për të gjithë komunitetin e futbollit.

Ky rast tragjik ka prekur zemrat e gjithsecilit prej nesh, teksa ka ndaluar në gjysmë ëndrrat e tyre të mrekullueshme dhe pasionin e madh për lojën e futbollit.

Dëshirojmë të jemi pranë jush me shpirt dhe mendje, me shpresë se do të gjeni forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe.

Molosi dhe Lordi do të mbeten gjithmonë në kujtimet tona si figura frymëzuese dhe të dalluara në fushën e futbollit.

Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Molosin dhe Lordin!

Back to top button