Policia angazhoi personel shtesë në pikat kufitare Kosovë – Serbi

Policia e Kosovës ka thënë se ka angazhuar personel shtesë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për ta menaxhuar fluksin e krijuar si rezultat i zgjedhjeve që po mbahen në Serbi.

Serbët e Kosovës kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar nga veriu drejt Serbisë për të ushtruar të drejtën e votës. Po ashtu edhe Komuna e Gjilanit ka organizuar transport për qytetarët e Luginës që punojnë në Gjilan, në mënyrë që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës.

“Zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, kanë bërë që disa qytetarë të Republikës së Kosovës të udhëtojnë drejt Serbisë, andaj me qëllim që të sigurohet një qarkullim i lirë i qytetarëve të cilët udhëtojnë për në Serbi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura në mënyrë që liria e lëvizjes të jetë e garantuar. Po ashtu policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkret përfshirë edhe shtimin e personelit policorë për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera. Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbin, ku për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Në pikat kufitare Jarinje, Dheu i Bardhë, Bërnjak, Merdar e Muçibabë ishin krijuar kolona.

Back to top button