Kaloni te përmbajtja kryesore

FIFA shqyrton zgjerimin e Botërorit në 64 kombëtare për vitin 2030

FIFA ka konfirmuar se do të shqyrtojë mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës në 64 kombëtare për edicionin e vitit 2030.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se kjo çështje do të analizohet nga komitetet përkatëse pas përfundimit të Botërorit 2026.

Burimi është raportuar nga The Athletic, i cili thekson se ideja po fiton mbështetje nga disa drejtues të futbollit në Amerikën e Jugut, por po has edhe kundërshtime të forta nga Europa.

Infantino argumentoi se zgjerimi i turneut do t’u jepte më shumë vendeve mundësinë për të ëndërruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës dhe do të rriste zhvillimin e futbollit në nivel global.

“Çdo komb duhet të ketë mundësinë të ëndërrojë se mund të marrë pjesë në Kupën e Botës. Nëse vendeve më të vogla nuk u jepet kjo mundësi, atyre u mungon motivimi për t’u përmirësuar,” deklaroi Infantino.

Ai shtoi gjithashtu se formati me 48 kombëtare, i përdorur për Botërorin 2026, ka qenë “100 për qind një sukses”.

Megjithatë, propozimi për 64 skuadra ka ngritur debate të shumta.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e quajti idenë një “ide të keqe”, duke argumentuar se një zgjerim i mëtejshëm do të dëmtonte si vetë Kupën e Botës, ashtu edhe procesin kualifikues në Europë.

Në të njëjtën linjë është edhe presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, i cili u shpreh se një format i tillë “nuk është një ide e mirë”.

Nga ana tjetër, mbështetësit e projektit, mes tyre presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez, besojnë se një Botëror me 64 kombëtare do të ishte një mënyrë për të bashkuar edhe më shumë botën e futbollit dhe për t’u dhënë më shumë kontinenteve mundësinë të jenë pjesë e spektaklit më të madh të sportit.

Nëse miratohet, Botërori 2030 do të zhvillohej me një format historik, ndërsa turneu do të organizohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, me ndeshje hapëse edhe në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, në nder të 100-vjetorit të Kupës së Botës.

Vendimi përfundimtar pritet të merret nga organet drejtuese të FIFA-s pas përfundimit të Botërorit 2026, sipas raportimit të The Athletic.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button