Filatelia e Postës me dy pulla postare për “50 Vjetorin e Baletit”

Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot emetoi dy pulla postare nga emisioni i radhës ‘’50 Vjetori i Baletit’’, për nder të gjysmëshekullit të themelimit dhe veprimit të Baletit të Kosovës, nga viti 1972.

“Filatelia e Postës së Kosovës, svlerëson dhe nderon kontributin e balerinëve kosovarë në këtë vit jubilar. Përmes imazhit të këtyre dy pullave postare, do të shpalosen dhe promovohen nëpër botë vlerat kulturore dhe artistike të Republikës së Kosovës.”, ka bërë të ditur Posta e Kosovës.

Balerinët e gjeneratës së parë janë arsimuar në Shkollën e mesme të Baletit në Shkup, ndërsa pas përfundimit të suksesshëm, shumica e tyre janë kthyer në Prishtinë, në kuadër të Teatrit të Kosovës, duke themeluar baletin kosovar nën drejtimin e Abdurrahman Nokshiqit.

Ansambli i Parë i Baletit të Kosovës, ka arritur të nxirrte në skenë shfaqje mjaft të mëdha nga kompozitorë të huaj e shqiptarë, që me paraqitjet e tyre janë barazuar me balerinët e vendeve të ndryshme, derisa regjimi ish jugosllav i ka dëbuar me dhunë nga Teatri balerinët kosovarë në vitin 1991.

Gjenerata e Re e Baletit të Kosovës, është rithemeluar pas çlirimit të Kosovës në vitin 2001, nga balerini Ahmet Brahimaj, i cili me ndihmën e disa kolegëve të tij ka formuar Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të Shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë./21Media

Back to top button