Filharmonia e Kosovës mbajti koncertin përmbyllës të vitit 2022

Filharmonia e Kosovës mbrëmë mbajti koncertin përmbyllës të vitit 2022. Në drejtimin e mjeshtrit bullgar Svilen Simeonov dhe me paraqitjen e violinistes Sihana Badivuku për publikun u prezantua një program i pasur artistik.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, artistë e artdashës.
Filharmonia po lë pas një vit tejet dinamik me 35 koncerte të mbajtura brenda dhe jashtë Kosovës. Rreth 100 vepra janë ekzekutuar gjatë vitit derisa aktiviteti i Filhamonisë është përcjellur nga rreth 18,500 spektatorë.
Interpretimi i veprave të pëmasave të mëdha e ka karakterizuar këtë vit duke sjell intepretim premierë të ‘Carmina Burana’ nga Carl Orff, baletin ‘Halili e Hajria’ nga Tish Daija në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës e ‘Messa da Requiem’ në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
Në kuadër të programit ‘Filharmonia në lëvizje’, Orkestra dhe Kori kanë dhënë koncerte në Prizren, Suharekë, Obiliq, Ferizaj dhe Mitrovicë, – praktikë e cila do vazhdoj edhe vitin e ardhshëm. Programi dedikuar dëgjuesve të vegjël do t’i shtohet aktivitetit të Filharmonisë nga shkurti i vitit 2023.
“Ndryshe programi në ardhje do të sjellë përpara publikut të Kosovës një repertor tejet impenjativ si asnjëherë tjetër”, thuhet në shkrimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Facebook./21Media
Fotografitë: Arben Llapashtica

Back to top button