Filharmonia e Kosovës merr pjesë në koncertin “Dua më shumë Shqipërinë”

Filharmonia e Kosovës do ta përmbyllë aktivitetin për muajin nëntor me pjesëmarrjen në koncertin “Dua më shumë Shqipërinë”, i cili do të mbahet nesër prej orës 19:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Kori i Filharmonisë do t’i bashkohet Korit dhe Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë në drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi dhe me pjesëmarrjen e solistëve: Josif Gjipali, Kastrito Tusha, Vikena Kamenica, Adelina Paloja, Besa Llugiqi, Liridon Sadriu dhe Xheilo Hyseni.
Nëntori për Filharmoninë ka nisur me koncertin e Orkestrës Frymore në Obiliq në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” për të vazhduar me koncertin e Orkestrës Simfonike ku u interpretuan uvertura “Coriolan” nga Beethoveni, Koncerti për piano në G-dur nga Raveli me soliste Anila Aliun dhe premiera botërore e “Simfoni epike” nga Fatos Qerimaj e ku në rolin e solistes u prezantua altoja Diellza Sylejmani.
Në njoftim bëhet e ditur se në dhjetor Filharmonia do sjellë një program të pasur me katër prezantime brenda dhe jashtë Kosovës./21Media

Back to top button