Më 25 dhjetor mbahen zgjedhjet për kuvendet komunale të Zveçanit e Leposaviqit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 25 dhjetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.
“Pas Vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendeve Komunale në Zveçan dhe Leposaviq, pas konsultimit me partitë politike dhe duke pasur parasysh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me afatet dhe detyrimet ligjore, caktoi 25 dhjetorin, datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit”, thuhet në njoftimin e presidencës të premten.
Ajo ka ftuar subjektet politike për fushatë të qetë, pa tensione.
Zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit do të mbahen pas dorëheqjes së anëtarëve të Kuvendeve Komunale dhe shpërndarjes së tyre më 18 nëntor nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Back to top button