Filloi konferenca vjetore “Java e Shkencës 2017”

Sipas ministrit të arsimit “Java e Shkencës” po shndërrohet në një nga eventet më të rëndësishme

Ka filluar punimet Konferenca tradicionale “Java e Shkencës 2017”, në të cilën po marrin pjesë shkencëtarë të fushave të ndryshme nga vendi dhe rajoni, të cilët do të prezantojnë kontributet e tyre shkencore në promovimin e shkencës në Kosovë.

Fjalën e hapjes, në seancën solemne të kësaj Konference, e ka mbajtur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili ndër të tjera shprehu vullnetin e tij për angazhimin e gjithëmbarëshëm institucional për zhvillimin e shkencës dhe inovacionit në Kosovës, si një instrument i fuqishëm i zhvillimit ekonomik.

Bajrami, vlerësoi se, “Java e Shkencës” po shndërrohet në një nga eventet më të rëndësishme rajonale, si një aktivitet shumë i rëndësishëm, i cili mbedhë shkenctarët e shumë shteteve dhe si një mundësi e mirë e stimulimit të hulumtimit shkencor.

Ai tha se sot nuk mund të paramendohet zhvillimi ekonomik i një shteti pa kontributin e shkencëtarëve dhe pa kërkimet e mirëfillta.
“Republika e Kosovës, si një shtet i ri, i cili po aspiron integrimin evropian, duhet të angazhohet shumë më shumë në përkrahje të shkencës, në ndarjen e fondeve më të mëdha për të stimuluar hulumtimin shkencor, në orientimin e hulumtimit shkencor drejt nevojave të zhvillimit ekonomik dhe në përhrahjen dhe stimulimin e hulumtuesve dhe shkenctarëve të rinjë”, është shprehur Bajrami.

Sipas tij, “Java e Shkencës” është edhe reflektim i asaj se çfarë janë standardet e hulumtimit dhe të bërit shkencë në Kosovë.

Ndër të tjera, Bajrami shprehu edhe nevojën e Kosovës për përfshirje në hapësirën evropiane të shkencës, duke qenë se BE përmes programeve të ndryshme mbështet hulumtuesit e rinjë.

Ndryshe, në Konferencën “Java e Shkencës 2017” do të prezantohen rreth 250 punime shkencore të ndara në 12 sesione tematike për katër ditë sa do të zgjasë Konferenca./21Media

Back to top button