Fillon seanca për rastin e abuzimit seksual me të miturën
Debat parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual
Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me pikën e vetme të rendit të ditës, debat parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.
Në seancë të pranishëm janë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Gjatë ditës, kreu i ekzekutivit ka mbledhur në takim ministrin e Brendshëm Ekrem Mustafa, Ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë Rashit Qalaj, Kryeshefen e Inspektoratit Policor Miradie Kelmendi dhe Kryeinspektorin e Arsimit Defrim Gashi. Haradinaj ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndriçohet rasti.
“Kërkova që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Të martën në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.
Pas raportimit të ngjarjes ishte arrestuar zyrtari policior me inicialet V.V, ku dje i njëjti ka dalë para gjykatës. Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për policin e dyshuar.
Gjithashtu dje janë arrestuar edhe mësimdhënësi dhe gjinekologu, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?