Filmi “Era” në mesin e 19 projekteve filmike në Cottbus

Në edicionin e 22-të të COCO (Connecting Cottbus), tregun e bashkëprodhimeve të Evropës Lindore dhe platformës e cila mundëson bashkëpunimet, me fokus ato të kinemasë së Evropës Lindore gjatë festivalit të filmit Cottbus, filmi kosovar “Era” me regji të Parta Kelmendit, do të shfaqet në kategorinë e Works in Progress, përgjatë datave 9-11 nëntor 2022.
Qendra Kinematografike e Kosovë ka njoftuar se filmi “Era” është përzgjedhur në mesin e 19 projekteve filmike, tematika apo prodhimi i të cilave ndërlidhet me Evropën Lindore.
Filmi do të shfaqet para një audience profesionale të prodhuesve, blerësve, montazherëve dhe financierëve botëror, me eksperiencë të gjatë në industrinë e filmit.
Me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës, projekti filmik ka marrë pjesë në First Cut Lab Balkans, program i dizajnuar për këshillim gjatë fazës së montazhës së filmave.
“Era” është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se, ngjarja e filmit “ERA” përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë. Kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive. Shkollat paralele, ndërkohë që të rinjtë po përjetonin apartheidin dhe dhunën karshi tyre. Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe./21Media

Back to top button