Fitore Aliu: Jemi të motivuara për tjetër ndeshje të madhe

Fitore Aliu ka kohë që është prej lojtareve të rëndësishme të Kombëtares së Kosovës në hendboll. Aloja bën karrierë në Gjermani, ndërsa ka dhënë kontribut në fitoren ndaj Ishujve Faroe.
Fitorja është e kënaqur me paraqitjen e Kosovës në palestrën e mbushur me shikues në Istog, ndërsa është e vetëdijshme që ndeshja e dytë do të jetë më e vështirë. Ndeshja e dytë Kosovë – Ishujt Faroe është të shtunën prej orës 19:30 në Istog.
“Kemi luajtur ndeshje të madhe. Ekipin e kemi thuajse të kompletuar dhe kualiteti i vajzave është i madh. Këtë e kemi dëshmuar në ndeshjen e parë me Ishujt Faroe. Të gjitha kemi qenë të përkushtuara për sukses dhe rezultati ishte i dëshiruar”, ka thënë Fitore Aliu.
Ajo kërkon kujdes maksimal në ndeshjen e dytë.
“Nuk ka përfunduar ende asgjë, ndonëse kemi bërë hap të rëndësishëm. Na presin edhe 60 minuta të zjarrtë. Nëse japim më të mirën, luftojmë për çdo top dhe ndihmojmë njëra-tjetrën, atëherë jam optimiste për suksesin historik, kalimin në raundin tjetër. Atmosfera është shumë e mirë, ndërsa edhe përkrahja nga shikuesit nuk presim që të mungoi”, ka shtuar Fitore Aliu./21Media

Back to top button