Pashke Marku: Me mbrojtje të fortë sigurojmë kualifikimin

Pashke Marku është kthyer me sukses nga lëndimi i krahut dhe ka dhënë kontribut të enjten në fitoren ndaj Ishujve Faroe (27:24). Në ndeshjen në Istog, Marku ka ndihmuar si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Aloja që bënë karrierë në Superligën e Zvicrës, është e kënaqur me paraqitjen në ndeshjen e parë ndaj Ishujve Faroe, ndërsa pret ndeshje të mirë edhe të shtunën mbrëma (19:30), kur është sfida e dytë me Ishujt Faroe, po ashtu në Istog. Janë këto ndeshje të raundit të parë kualifikues për Botërorin 2023 në hendbooll.
“Ndeshjen e kemi fituar pasi i jemi përmbajtur planit të lojës. Të gjitha i jemi përmbajtur asaj që jemi marrë vesh për lojën në mbrojtje dhe lojën në sulm. Në pjesën e dytë kemi pasur një rënie, sidomos kur kapitenja Leonora Demaj u përjashtua. Megjithatë jemi kthyer shpejtë, kemi motivuar njëra-tjetrën dhe kemi ndihmuar maksimalisht njëra-tjetrën dhe kështu gjithë Kombëtaren”, ka thënë Pashke Marku.
Nuk ka shumë kohë që ajo është kthyer nga një lëndim i krahut. Por ishte e vendosur të luaj për Kombëtaren dhe të enjten ishte pa kompromis.
“Na pret ndeshja vendimtare. Duhet të jemi të fokusuara si në lojën e parë. Mbrojtjen duhet ta kemi sërish të fortë, pasi e dimë që vetëm mbrojtja e fortë e fiton lojën dhe e siguron kualifikimin”, ka shtuar Pashke Marku./21Media

Back to top button