Forumi për Integritetin e Informacionit kërkon të ndërpritet cenimi i pavarësisë së KPM-së
Anëtarët e Forumit për Integritetin e Informacionit kanë dënuar ndërhyrjen e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në pavarësinë e Komisionit të Pavarur të Mediave në vendimmarrje, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas anëtarëve të Forumit për Integritetin e Informacionit gjuha kërcenuese dhe linçuese, siç janë akuzat që iu janë bërë për tradhti kombëtare dhe korrupsion janë të papranueshme.
“Organizimi i dëgjimeve mbikëqyrëse me qëllim analizimin, diskutimin dhe kontestimin e vendimeve të anëtarëve të KPM-së ka marrë karakter hetimor dhe disiplinues. Gjuha kërcenuese dhe linçuese, siç janë akuzat që iu janë bërë për tradhti kombëtare dhe korrupsion janë të papranueshme, meqë rrezikojnë sigurinë e tyre fizike dhe integritetin profesional, si dhe nuk përkojnë me gjuhën parlamentare. Ne kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Media që ta ndërpresë menjëherë këtë praktikë të cenimit të pavarësisë së punës së anëtarëve të KPM-së, fillimisht duke anuluar mbajtjen e dëgjimit mbikëqyrës të radhës për këtë cështje. Inkurajojmë Komisionin Parlamentar për Media ta ushtrojë funksionin mbikëqyrës të Komisionit të Pavarur të Mediave duke respektuar pavarësinë e tij në vendimmarrje”, thuhet në reagim.
Letra është nënshkruar nga 10 anëtarë të këtij Forumi:
1. Ardita Zejnullahu, Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK)
2. Bardhi Bakija, Sbunker
3. Dren Gërguri, Ligjërues
4. Flutura Kusari, Aktiviste
5. Imer Mushkolaj, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK)
6. Muhamet Hajrullahu, Gazetar
7. Miodrag Milićević, Aktiv
8. Naile Dema, Gazetare
9. Shkelzen Osmani, Action for Democratic Society (ADS)
10. Xhemajl Rexha, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
Reagimi erdhi pasi deputetët në mbledhjet e fundit kanë kërkuar shkarkimin e Bordit me justifikimin se nuk e ka kredibilitetin për ta vazhduar drejtimin e KPM-së.