Sveçla pret në takim ambasadorin jo rezident të Katarit në Kosovë, dakordohen për bashkëpunim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot gjatë ditës ka pritur në takim ambasadorin jo rezident të Shtetit të Katarit në Kosovë, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari.

Bëhet e ditur se në këtë takim është diskutur për situatën e sigurisë dhe përkushtimin e institucioneve për të garantuar siguri dhe stabilitet në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ministri Sveçla e njoftoi ambasadorin Al Dosari për mandatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe prioritetet në sundimin e rendit dhe ligjit, administratës shtetërore efikase dhe shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën për media të MPB-së.

Në anën tjetër ambasadori Al Dosari ka shprehur mbështetjen e plotë të shtetit të Katarit në ngritjen dhe forcimin e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave më të mira mes zyrtarëve.

Me theks të veçantë palët kanë diskutuar edhe për potencialin dhe mundësitë e investimit në fushën e sigurisë në Kosovë.

Ministri Sveçla dhe ambasadori Al Dosari u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë dhe konkret mes ministrive të dy shteteve./21Media

Back to top button