Francë: 71-vjeçari vret një 11-vjeçare dhe i plagos prindërit e saj, shkak prona

Një vajzë 11-vjeçare britanike u qëllua për vdekje nga një burrë 71-vjeçar holandez në Francën perëndimore, për shkak të një mosmarrëveshjeje midis dy fqinjëve për kopshtet e tyre.

Prindërit e vajzës po ashtu u plagosën rëndë nga sulmi me armë. Motra e saj 8-vjeçare u arratis dhe u gjet e padëmtuar, por në gjendje shoku.

Familja ishte në kopshtin e tyre kur fqinji i tyre 71-vjeçar u shfaq me një armë zjarri dhe filloi të qëllonte disa herë në drejtim të tyre përpara se të mbyllej në shtëpinë e tij me gruan e tij. Më vonë holandezi dhe gruaja e tij u dorëzuan dhe u morën në paraburgim, raporton CNN, përcjell rtv21.tv.

Prokurorët francezë thonë se 11-vjeçarja u shpall e vdekur në spital dhe babai i saj pësoi një dëmtim të rrezikshëm për jetën në kokë dhe është në një gjendje kritike por të qëndrueshme. Nëna, 49 vjeçe, gjithashtu u plagos nga të shtënat dhe mbetet nën kujdes në spital me vajzën tjetër të familjes, 8 vjeçe, e cila u shtrua në spital e tronditur.

Të shtënat u shkaktuan nga një mosmarrëveshje për zhurmën dhe prerjen e pemëve në kufi me pronat. Sulmuesi kishte qenë i zemëruar me fqinjin e tij, i cili preu pemët që i jepnin hije pronës së tij. Mosmarrëveshja kishte vazhduar për të paktën dy vjet.

Holandezi dyshohet se ka qëlluar tre ose katër herë me pushkë nga prona e tij ndaj fqinjëve të tij në kopshtin e tyre, rreth 10 metra larg tij.

Sipas prokurorit, burri mendohet se ka vënë në shënjestër nënën dhe babanë e familjes. /21Media

Back to top button