Francë: Macron e Le Pen në balotazh për president

Kandidati i qendrës Emmanuel Macron dhe udhëheqësja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen janë fitues të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, ndërsa rundi përfundimtar zhvillohet më 7 maj

Nga Ministria e Brendshme e Francës u tha se nga 78 për qind të votave të numëruara, kandidati i qendrës udhëheqë ndaj Marine Le Pen. Emmanuel Macron ka marrë votat në qytetet e mëdha të Francës dhe sipas shënimeve të ministrisë së brendshme ai ka 23.23 për qind, Marine Le Pen është e dyta me 22.83 për qind. Ndërsa Francois Fillon ka marrë 19.75 për qind dhe Melenchon 18.92 për qind.

Rundi përfundimtar zhvillohet më 7 maj ku do të përballen Macron dhe Le Pen.

Le Pen është shprehur hapur kundër imigrimit dhe ka premtuar edhe largimin e Francës nga Bashkimi Evropian, ndërkohë Macron është kandidati pro-evropian.

Ndërkohë, në Paris ka patur përleshje ndërmjet demonstruesve dhe policisë pas njoftimeve se Marine Le Pen ka kaluar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, dhe policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Presidenti i Francës, François Hollande, me mbylljen e vendvotimeve dhe pas rezultatit të projektuar, ka biseduar me telefon me Emmanuel Macron për ta uruar për kalimin në rrethin e dytë. Edhe kandidati i qendrës së djathtë që ka humbur në rrethin e parë, François Fillon, ka shkruar në rrjetin e tij social se e mbështet Macron në rrethin e dytë. Si dhe  ish kryeministri francez, Manuel Valls, i Partisë Socialiste thotë se e mbështet Emmanuel Macron në rrethin e dytë.  Edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherni, i ka uruar mbështetësit e Macron-it për valëvitjen e flamujve francezë dhe atyre të BE-së. Emanuel Macron ka marrë urime edhe nga Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, i cili në rrjetin e tij social Twitter e ka përgëzuar Emanuel Macron, pasi sondazhet sugjerojnë se kandidati i qendrës, në rrethin e dytë më 7 maj do të garojë së bashku me udhëheqësen e të djathtës ekstreme Marine Le Pen. Si dhe Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, e ka përshëndetur projeksionin sipas të cilit Macron ka kaluar në rrethin e dytë të votimeve, “Ka të bëjë me Francën, natyrisht, por gjithashtu ka të bëjë edhe me Evropën”, tha ai.

Qytetarët francezë po votojnë, nën masa të shtuara të sigurisë, në rrethin e parë të zgjedhjeve jetike presidenciale që mund të kenë ndikim të gjerë për status quo gjeopolitike, përshirë edhe të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë. Franca është anëtare kryesore e NATO-s dhe është shtyllë e unitetit të Bashkimit Evropian në përgjigje ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë së Ukrainës dhe për mbështetjen e Moskës për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës. Për këtë arsye, perëndimi ka imponuar sanksione kundër Rusisë.

Fitorja eventuale e zonjës Le Pen, me politikën e saj kundër imigrimit dhe kundër Bashkimit Evropian, do ta shënonte vazhdimin e rritjes së ndjenjës izolacioniste në gjithë botën perëndimore, që e ndihmoi dërgimin e Donald Trumpit në presidencën amerikane dhe referendumin për dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa Macron e ka marrë një pozicion më të ashpër kundër Rusisë në mesin e katër kandidatëve kryesorë presidencialë, duke i mbështetur sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe duke e akuzuar Kremlinin se është i involvuar në sulmet kibernetike, kundër fushatës së tij.

Në shumë hulumtime të opinionit, Marine Le Pen plasohet në vendin e dytë, pas kandidatit Macron në raundin e parë, por për raundin e dytë duket se ajo nuk ka gjasë të fitoj kundër ish-ministrit të ekonomisë, Emmanuel Macron, që është politikan pro-evropian.

 

 

Back to top button