Fried: Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes

Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Daniel Fried, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.

Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij “e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë”, thotë Fried.

“Është e qartë që Kosova është duke i injoruar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke vepruar në një mënyrë që ne nuk e inkurajojmë. Unë kurrë nuk e kam parë administratën e SHBA-së kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës, jo në këta 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë. Qeveria amerikane i ka inkurajuar kosovarët që të mos e bëjnë këtë problem në veri dhe kosovarët na kanë injoruar. Dhe, rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i kemi paralajmëruar”, thotë Fried.

“Ai [Kurti] e ka bërë presidentin e Serbisë [Aleksandar] Vuçiq të duket empatik. Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë [Kosovën]. Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë Qeverinë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës”, deklaron ai.

Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të Kurtit, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Tensionet në këtë pjesë të vendit, të banuar me shumicë serbe, janë të larta qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. /REL

 

 

Back to top button