GAP: Pozita e grave në tregun e punës është rënduar si pasojë e pandemisë

 

Instituti GAP ka publikuar raportin statistikor ”Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”, për vitin 2020. Në raportin e paraqitur nga Instituti GAP, thuhet se pandemia COVID-19 dhe ndërrimi i dy qeverive brenda vitit 2020, kanë ndikuar edhe në aspektin e punësimit dhe përfaqësimit të grave në Kosovë.

”Tek pozitat kyçe në qeveri, gjatë vitit 2020, Qeveria Kurti kishte emëruar gra në 21% të pozitave ndërsa Qeveria Hoti 14%. Në pozitat drejtuese, shërbimin civil dhe stafin akademik, gratë kanë mbajtur rreth një të tretën e pozitave edhe në vitin 2020. Ndërsa, në fushat tjera dhe tregun e punës në përgjithësi, përfaqësimi i grave mbetet në shkallë mjaft të ulët. Në administratën komunale të disa komunave, sidomos atyre të volga, vetëm çdo i pesti vend i punës mbahet nga gratë. Pandemia COVID-19 ka rënduar edhe më shumë pozitën e grave në tregun e punës, meqë janë ulur mundësitë për punësim. Në vitin 2020, shkalla e punësimit tek gratë ishte vetëm 14.4%, ndërsa tek burrat 46.2%. Ndërkaq shkalla e papunësisë tek gratë, që përfshin vetëm personat të cilët kërkojnë punë, ishte 33.1% ndërsa tek burrat 21.5%. E në anën tjetër, edhe këtë vit, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njejtit nivel me atë të burrave”, thuhet në raport.

Aty, tutje ceket se numri i grave punëkërkuese të regjistruara në Agjencinë e Punësimit në vitin 2020 ishte 90,677, kurse numri i burrave punëkërkues të regjistruar në këtë agjenci ishte 109,900.

”Për më tepër, mbi 8,737 punëkërkuese gra i kishin të përfunduara studimet bachelor, që është numër më i lartë se sa numri i burrave punëkërkues me të njëjtin profil 5,034. Edhe në aspektin e shkollimit, vajzat prijnë për nga interesimi. Në vitin 2020 ishin rreth 10 mijë studente vajza 34,532 më shumë në universitetet publike në nivelin bachelor dhe master se sa djem 24,266. Ndërsa, tek kolegjet private, raporti djem-vajza ishte më i balancuar, ku numri i vajzave që studiojnë në të dy nivelet 7,539 ishte për 437 studente më i lartë sesa i djemve 7,102”, thuhet tutje në raport.

Në raport theksohet se interesimi i studentëve ka rënë për këtë vit. Ndërsa, për sa i përket skemës së ndihmës sociale, si e vetmja skemë që targeton varfërinë, dallimet gjinore janë theksuar dhe progresi ka qenë i vogël krahasuar me vitin paraprak.

Kujtojmë që, ky është raporti i katërt vjetor përmes të cilit, në mënyrë statistikore, Instituti GAP synon të vë në pah dallimet e përfaqësimit të grave në tregun e punës, në arsim dhe mirëqënie sociale./21Media

Back to top button