Gashi e quan të paaftë Qeverinë, thotë se hallet e qytetarëve po shtohen

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se paaftësia e Qeverisë Kurti po e sfidon dhe dëmton mirëqenien e qytetarëve, derisa sipas tij, hallet vetëm po shtohen përditë.
Në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria zgjidhjet e problemeve i ka me “terapinë” “shto një problem për të shuar një tjetër”, e sipas tij, kjo e ka origjinën të qeveritë e paafta dhe populiste.

“Në shumë raste i fajësojnë edhe qytetarët. E pastaj vazhdojnë me propagandën e suksesit imagjinar, duke i mohuar të vërtetat e prekshme dhe të dëmshme, të jetueshme dhe reale. Kulmin e padrejtësisë e arrijnë kur humbjet e qytetarëve i promovojnë si fitore, gjersa festojnë në emër të suksesit imagjinar. E papranueshme. Krejt e padrejtë”, ka shkruar deputeti i LDK-së në Facebook.
Sipas tij, LDK-ja është adresa e vetme dhe adekuate për zhvillimin e shtetit.

“Nuk mund t’i thuash qytetarëve: vlerësoni pozitivisht faktin që do ta paguani faturën e energjisë elektrike për 300% më shtrenjtë. Apo, vlerësoni pozitivisht faktin se do të ngroheni më pak e do ta paguani më shumë, ndërsa ju prodhues do të punoni më pak ose aspak. Nuk mund t’i thuash qytetarëve; përgëzime se po thyejmë rekord të zi me numër të të infektuarve. Nuk bën. Nuk duhet. Është keq.Përfundimisht, çdo ditë e më shumë po dëshmohet se, LDK – partia e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, është adresa e vetme dhe adekuate për zhvillimin e shtetit tonë të dashur”, ka shkruar Gashi në Facebook./21Media 
Back to top button