Gashi është kryeparlamentari i ri! Debat i nxehtë mes Levicës dhe VMRO-së për zgjedhjen e tij

Afrim Gashi edhe zyrtarisht është kryeparlamentari i ri. Zgjedhja e tij ndodhi këtë pasditë në seancën konstitutive të përbërjes së 11 parlamentare. PËR votuan 76 deputetë, aq sa ka marrë nënshkrime nga shumica e re VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM për kandidimin e tij, ndërsa KUNDËR ishin 6 deputetët e Levicës. LSDM nuk votoi fare, ndërsa paraprakisht koalicioni Fronti Europian u largua nga seanca. Në përzgjedhjen e tij, Gashi dha edhe betim solemn.
“Deklaroj se funksionin Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut … do ta kryej në mënyrë të përgjegjshme dhe ndërgjegjshme…dhe do ta respektoj Kushtetutën dhe Ligjet e RMV-së”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Pasi u ul në karrigen e kryetarit të Kuvendit, Gashi shkurt iu drejtua deputetëve të pranishëm.
“Si kryetar i Kuvendit, përkatësia ime e vetme do të jetë garancia se asnjë deputet nuk do të ndihet i papërfaqësuar ose mos dhëntë Zoti, i diskriminuar. Në këto dy dekada demokraci, të gjithë ne duhet të tregojmë se kemi arritur një pjekuri për t’i respektuar mendimet e ndryshme, të dëgjohemi mes vete madje edhe kur nuk pajtohemi, të kemi argumentim duke e respektuar dinjitetin e tjetrit”, shtoi Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit.
Në seancë paraprakisht kishte debat të ashpër që e iniciuan deputetët e Levicës dhe VMRO-DPMNE-së, kryesisht se pse pikërisht Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit.
“Ju shkuat për të mbledhur lesh por u kthyet të qethur, ja këtë e keni bërë. I nderuar z. Mickoski shumë e kam qejf se në vend që të shkoni në Tashmarunishta ju zgjodhët të jeni në Shkup, por përsëri në anën e gabuar, për kosovarizimin e kuvendit maqedonas dhe përsëri nuk do të ketë parlament në botë ku flitet në gjuhën maqedonase”, potencoi Dimitar Apasiev – kryetar i Levicës.
“Së pari dua t’i kërkoj falje opinionit dhe qytetarëve për atë që e dëgjuan nga disa kolegë nga partia politike Levica. Më vjen keq që duhet ta ndjekin kanalin e Kuvendit, jemi dëshmitarë të një sjelljeje në shtëpinë e cila duhet të jetë shtëpia e demokracisë e jo shtëpi ku disa individë përpoqën të ofrojnë një shou të vërtetë”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Me këtë seancë konstitutive u zgjodh përbërja e re parlamentare pas çka do të njoftohet presidentja Gordana Siljanovska Davkova se është formuar shumica e re parlamentare pas çka ajo duhet t’ia japë mandatin Mickoskit si mandatar, i cili do të ketë 20 ditë për ta formuar qeverinë e re. Duke marrë parasysh se Mickoski tashmë kishte negociata me VLEN dhe ZNAM pritet shumë shpejt qeveria e re të gjendet në Kuvend për votim./TV21