Gashi për RTV21: Do ta bëjmë Obiliqin me nxemje qendrore

Sipas vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP sot ka raportuar se kryetarët e komunave gjatë fushatës zgjedhore i kanë dhënë afro 2 mijë premtime. E kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, sipas GAP ka dhënë gjithsej 69 premtime.
Por, cilat premtime/projekte kanë filluar të jetësohen në Obiliq prej marrjes së mandatit qeverisës? Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi në një intervistë për portalin rtv21.tv ka thënë se janë në pritje të alokimit buxhetor nëpër vijat buxhetore të realizimit të projekteve të përcaktuara sipas platformës qeverisëse, që la të nënkuptohet se Obiliqi ende nuk ka filluar me projektet e reja.
Buxheti i Komunës për vitin 2022 është 11 milionë e 822 mijë e 170 euro.
“Ne kemi krijuar një standard të ri saj përket zhvillimit të projekteve, secili qytetarë është afër në çdo zhvillim që ndodh në komunën e Obiliqit si dhe projektet bashkë i zgjedhim, bashkë i mbikëqyrim dhe së bashku i gëzojmë”, ka thënë Gashi duke përmendur punët që i ka realizuar gjatë mandative të kaluara.
Gjatë këtij mandati, Gashi ka thënë se do të realizojmë projekte madhore.
“Disa nga projektet: projekti i koogjenerimit, ndërtimi i katit të dytë të QKMF-së, ndërtimi i pishinës gjysëm-olimpike, ndërtimi i Qendrës Rinore dhe ngritja e Qendrës Inovative, ndërtimi i parkingut modern të qytetit, vazhdimi i sheshit “Dëshmorët e Kombit” dhe lidhja e tij me sheshin “Adem Preniqi”, ndërtimi i çerdhes në fshatin Milloshevë”, ka thënë i pari i Obiliqit për portalin rtv21.tv.
I pyetur se çka do të ndryshonjë/investojë në Obiliq, diçka që Obiliqi nuk e ka pasë asnjëherë, Gashi ka përmendur katër projekte.
“Projekti i koogjenerimit (nxemjet qendrore) në qytet dhe në fshatra, pishinën gjysëm-olimpike, ndërtimin dhe rregullimin e shtigjeve të biçikletave në territorin e Obiliqit, parkun multi-nacional – në bashkëfinancim me bankën botërore”, ka thënë ai.
Komuna e Obiliqit aktualisht ka 747 familjet në asistencë sociale. Xhafer Gashi për portalin rtv21.tv ka thënë se këto familje ndihmohen me pako ushqimore, në shëndetësi, zgjedhjen e banimit, në bujqësi, realizimin e grant-skemave për nënat vet-ushqyese etj.
Gjatë kësaj interviste, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka përmendur edhe planet në fushën e arsimit dhe shëndetësisë disa prej tyre që vazhdojnë edhe në këtë mandat, ndërsa për disa të tjera nuk ka dhënë datë se kur do të fillojnë të jetësohen.
Në fushën e arsimit:
1. Përmiresimi i vazhdueshëm i cilësisë së mësimdhëniës përmes kontrollit të cilësisë në arsimin parauniversitar.
2.Vazhdimi i dhënies së bursave për studentë dhe nxënës.
3.Krijimi i një fondi për inovacion për nxënës dhe studentë inovativ.
4.Funksionalizimi i çerdhes në Mazgit,
5. Ndërtimin e çerdhes në Milloshevë.
6.Mësimdhënia e integruar dhe përfshirja e fëmijeve me nevoja të veçanta, duke u bazuar në legjislacionet në fuqi.
7.Përfshirja e psikologut në shkolla.
8.Digjitalizimin e administratës nëpër shkolla.
9. Pajisja e klasave me projektor statik (smart TV).
10. Pajisja e shkollave me këndin për lojëra për fëmijët parashkollorë.
11. Pajisja e shkollave me alarme.
12.Pavarësimi i paraleleve në Mazgit.
13. Ndërtimi i sallave të edukatës fizike në të gjitha shkollat e Obiliqit.
Në fushën e shëndetësisë:
1.Ngritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësorë – inkuadrimin e profileve te veçanta,
2.Ndërtimi i katit të dytë të QKMF-së,
3.Funksionalizimin e laboratorin në Qendrën e Mjeksisë Familjare në Milloshevë.
4.Analiza laboratorike 24h për rastet emergjente.
5.Vazhdimi i kontrollave sistematike shëndetësore për nxënësit e komunës tonë.
6.Blerja e një autoambulance, një kombi për pacientët me hemodializë, me të gjitha pajisjet mjekësore për transportimin e rasteve të rënda për nivelin e dytë dhe të tretë.
7.Vazhdimi i ofrimit të shërbimeve shëndetësore në shtëpi, për personat e moshës së tretë dhe për pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore.
8.Vazhdimi i ofrimit të shërbimeve shëndetësore për gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në moshën 3 vjeçare si dhe vazhdimi i subvencionimi të grave lehona.
9.Hartimi i programit tre vjeçar të banimit,
10.Vazhdimi i ofrimit të shërbimeve familjare, blerja e shërbimeve për këshillim, përmes Qendrës për Punë Sociale.
Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin i fitoi zgjedhjet në rundin e dytë./21Media
 

Back to top button