Gashi: Po përpiqemi të sigurojmë mjete për rritjen e pagave për policët e zjarrfikësit

Sot u diskutua për buxhetin për rritjen e pagave të Policisë dhe zjarrfikësve

Buxheti për rritjen e pagave të Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësve u diskutua sot në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi tha se janë në proces për këto çështje duke u përpjekur të arrijnë sigurimin e mjeteve për rritjen e pagave për këta shërbyes.

Në mbledhjen e sotme gjithashtu ministri u pyet edhe për ligjin për pensionim të parakohshëm të PK-së, ku ai deklaroi se janë në proces te krijimit të parakushteve për zbatimin e këtij ligji.

“Jemi në proces për rritjen e pagave. Pensionimi i parakohshëm kërkon buxhet, jemi në proces të krijojmë parakushte të zbatohet ky ligj dhe të kalojmë në fazë të re. Nëse ky ligj kalon ka mundësi të standardizohet mosha për policinë e Kosovës. Çështja e zjarrfikësve, jemi në diskutim për buxhetin. Jemi në kërkim të buxhetit për të pasur mundësi me gjet zgjidhjen adekuate për me pas mundësi me ju përgjigj kërkesave”, tha ai.

Ai tha se ligji është gati dhe se do të insistojnë qe ai të kalojë brenda këtij viti. Ndërkohë nuk tregoi për koston që kërkohet veçse tha se nuk është e papërballueshme.

Ministri u pyet edhe për vizitën e presidentit Hashim Thaçi në veri të vendit, ku tha se çdo vizitë brenda territorit është nën autoritetin e presidentit. 

Back to top button