Gastronomët kërkojnë heqjen e të gjitha masave kufizuese

 

Gastronomë e hotelierë mbajtën një protestë të ashtuquajtur “Eventi i pakënaqësisë” nën moton “Me një vaksinë nuk qel vera”.

Kësaj proteste iu bashkuan pronarë të këtyre bizneseve nga e gjithë Kosova në shenjë pakënaqësie për masat antiCOVID, duke kërkuar largim e tyre, përfshirë edhe orën policore.

Protestuesit mbanin në duar pankarta ironizuese me sloganet të cilat partitë politike përdorën në fushatë, “Krejt dhe padrejtë”, “Nëpërkëmbje”, “Padrejtësia padrejtësi”.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve, Petrit Kllokoqi, duke kërkuar heqjen e tërësishme të masave tha se janë bërë 438 ditë nga fillimi i mbylljes, e që ndikuan negativisht në bizneset e tyre.

“Sot na u benën 438 ditë që jena mbyll, 438 ditë që nuk po mundemi me sigurua kafshatën e gojës, 438 ditë që punojmë me kufizime e me dënime nuk po e qet më, ju bëj ftesë Qeverisë të Kosovës nuk kemi dalë me ju ndërrua juve po kemi dalë me ju qel sytë edhe veshët për ekonominë tonë… nuk kanë sens më masat, hiqni masat nuk është fer që vetëm për fushata politike”, tha ai .

Ndërsa Sekretari i Gastronomeve, Arian Vranica tha se Kosova ka mbetur 100 hapa pas vendeve të rajonit për sezonin e verës, duke shtuar se po rrezikohet gastronomia dhe ekonomia e vendit.

“Të gjithë e kemi interesin e njëjtë mbajtjen e bizneseve dhe punëtorëve tanë, mbajtën e familjes sonë, sot bëhen 438 ditë që jemi duke u ballafaquar me pandeminë…me ligj të rimëkëmbjes të pazbatueshëm, me gjoba e dënime të pa shkrueshme, me drejtësi selektive…Jemi shumë vonë, jemi një hap pas sezonës së verës e 100 hapa pas vendeve të rajonit , jemi duke rrezikuar periudhën më të rrezikuar periudhën më të rëndësishme të vitit, për gastronominë e për ekonominë”, tha ai

Gastronomët paralajmëruan se mos dëgjueshmëri ndaj institucioneve të shtetit dhe mosrespektim të masave antiCOVID-19, nëse nuk merren parasysh me urgjencë kërkesat e kamotshme të tyre.

Kujtojmë se nesërministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do t’i diskutojë masat e reja antiCovid, me kryetarët e komunave të vendit, aty pritet të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.

Back to top button