Gazetarët e Pejës përkujtuan Hivzi Krasniqin
Hivzi Krasniqi u kujtua edhe nga Shoqata e Gazetarëve të Pejës
Në teatrin profesionist ‘Istref Begolli’ në Pejë, u kujtua sot jeta, vepra, puna dhe krijimtaria e Hivzi Krasniqit, doajenit të gazetarisë, autorit të mëse një mijë teksteve këngësh hit dhe zërit më të mirë të radiofonisë kosovare e shqiptare.
Organizuar nga ‘Shoqata e gazetarëve të Pejës’, në mbledhjen komemorative u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi veprimtarinë e të ndjerit Krasniqi, ndërsa që fjalën hyrëse e paraqiti Halil Gashi – kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Pejës dhe përfaqësues i Radio Pejës.
Fjalë rasti në emër të institucioneve komunale të Pejës, mbajti kryesuesi i Kuvendit komunal Islam Husaj.
Për jetën dhe kontributin e Hivziut në media, foli gazetarja veterane dhe bashkëpunëtorja e të ndjerit që nga ditët e para, Dhurata Kaba- Mustafa.
“Ai ishte legjendë e gazetarisë dhe mbeti i tillë. Na fali shumë dashuri e njerëzi. Do ta kujtojmë çdoherë ashtu siç ishte, i mirë e i dashur. U pensionua para pak muajsh nga RTK-ja, gjegjësisht Radio Kosova, dhe në ditën e fundit të punës nuk pranoi të takohej me ne kolegët. U takua me sy. Nuk u përmbajt, sikur iu sill në kokë e mendje puna ndër dekada në atë studio që nga dita e parë. Herën e fundit më foli për punën e re që do ta niste dhe më tha, ty do të marrë me vete, nuk do të lejoj të pensionohesh”, tha Kaba –Mustafa.
Në emër të ‘Radio 1’ dhe të Shoqërive kulturore-artistike të qytetit të Pejës, për rolin dhe kontributin e Hivzi Kraniqit, foli Fitim Behluli, bashkëpunëtorë i të ndjerit nga gjenerata e re në media.
“Për me fol për Hivziun, duhet me e njoh Hivziun. Edhe pse jam më i ri, Hivziun, nuk ka qenë problem me e njoh. Ai me afërsinë dhe njerëzinë e tij, çdokujt ja ka dhënë këtë mundësi. Dikush ia ka keqpërdorë, të tjerët ia kanë çmuar. Kisha fatin kohëve të fundit të kontaktojmë shpesh për konsultat e ‘Radios 1’ që do ja nisnim. Do t’i ndaj dy kujtime të fundit me të dhe për të. I pari, më 7 maj të vitit të shkuar Nexhmije Pagarusha po mbushte 85 vjet. E marrë në intervistë Nexhën për programin tim të natës ‘Top Folk’, ato ditë Nexha ishte nderuar nga presidenti Trump me Mirënjohje. E pyes tezja Nexhmije, na fol si e pranove këtë mirënjohe që të erdhi nga presidenti Trump? Më thotë: Ka diçka edhe më të madhe se kjo, që e kam përjetuar këto ditë! Çfarë i them? Më ka ardhur një tekst që ma ka shkruar Hivziu për jetën time, e që nëse kam jetë do ta bëjë këngë me këtë zë që më ka mbet. Nuk mi tha të gjitha vargjet më thotë, por ja mu kujtua një rresht.
“Edhe nëse shkoj nga kjo Botë, po shkojë me gëzim e jo me lot,”-më tha Nexha.
Dhe rasti i dytë është edhe teksti i fundit që Hivziu e shkroi dy net para se të ikte dhe kisha privilegjin të ma dërgonte me dorëshkrim në telefonin tim. Teksti i kushtohet Sofrës pejane, çfarë edhe e la porosi që ta bëjmë këngë për sofrën. Të njëjtin që po e ndaj me ju miq, ja kishte dërguar vet edhe kompozitores tonë të çmuar Pranvera Badivukut. Dhe ne do ta bëjmë këngë padyshim me shëndet të jemi. E përmendi zonja Kaba- Mustafa pensionimin e Hivziut nga Radio Kosova, e dëgjova me vëmendje. E kam thënë edhe në varreza atë ditë, Hivzi na fal që nuk ta kemi ditur vlerën, të tillë jemi ndonjëherë ne si shoqëri.
Artisti, krijuesi, gazetari, nuk del në pension, nuk bënë të mbetet në rrugë, sepse mund ta quajnë edhe rrugaç…Andaj urojë për ditë më të mira për këtë vend,”tha Behluli.
Në emër të familjes Krasniqi të pranishmit dhe organizatorin e falënderoi vëllai i të ndjerit Hivzi, Nazmi Krasniqi./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?