Gërvalla: Ambasadorët e rinj do të emërohen në javët në vijim

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla ka thënë se lirimi nga detyra e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës.

Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë në një video të publikuar në Facebook.

Duke thënë se në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, Gërvalla ka thënë se “do vazhdojë reforma në rrjetin tonë të ambasadave dhe konsullatave të përgjithshme duke respektuar kriteret e matshme të standardeve ndërkombëtare të profesionalizimit dhe integritetit”.

 

Dje gjatë ditës Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka liruar nga pozita të gjithë ambasadorët që janë emëruar politikisht. Nait Hasani, Gjergj Dedaj, Lirim Grajqevci, Avni Arifi, Amir Ahmeti, Arber Vllahiu, Gzim Kasapolli, Shpend Kallaba, Avni Kastrati dhe Ylber Hysa, janë ambasadorët e shkarkuar nga pozitat e tyre drejtuese./21Media 

Back to top button