Kaloni te përmbajtja kryesore

Gërvalla i thotë në sy Daçiqit është “Slloba i Vogël”: Njeriu s’mund të bie më poshtë se kaq

(Lajm i përditësuar)

Kryediplomatja Donika Gërvalla  përballjen kryesore, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e pati me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, të cilin ajo e quajti është një “Sllobodan i vogël”.

“Sapo treguat sot pse njerëzit në Serbi, në vitet e 90-ta ju kanë quajtur “Slloba i Vogël”. Pra, një Slobodan i vogël, një Millosheviq i vogël, shkaku i ‘bossit’ tuaj. E kuptoj se jeni i zemëruar, dhe e njoh këtë gjuhë që moti, sepse nuk jam në politikën evropiane qe dy a tre vite. Por, ju e keni të vështirë t’ua shpjegoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në 99-ën, ndaj mbani retorikë të tillë. Unë mendoj që populli i Serbisë nuk meriton diçka të tillë. E vërteta dhemb, e dimë”, tha Gërvalla.

​Gërvalla: Nuk ka dialog për statusin e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova ka dialog me Serbinë për normalizim të raporteve dhe asnjëherë për statusin e saj.

Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gërvalla ka thënë se çështja e statusit të Kosovës është gjë e kryer.

“Kosova sot është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, kjo do të thotë se ne jemi duke biseduar me fqinjin tonë shumë problematik lidhur me normalizim të raporteve tona, nuk është dialog lidhur me statusin e Kosovës sepse kjo është një gjë e kryer, e njohur nga më shumë se 115 shtete anëtare të OKB-së. Por është një diskutim në Bruksel për normalizim të raporteve tona”, ka shtuar ajo.

Duke replikuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministrja e Kosovës ka thënë se duke i dëgjuar deklaratat e liderëve serb, shtrohet pyetja se a ka apo jo marrëveshje në mes të palëve.

“Kur po ju dëgjojmë sot, dhe ditët e fundit presidentin tuaj, me të vërtetë shtroj pyetjen a kemi fare marrëveshje apo nuk kemi marrëveshje nga Brukseli dhe Ohri. Me sa e kam të qartë kemi marrëveshje dhe jemi shumë të përkushtuar të zbatojmë atë që jemi dakorduar në Bruksel dhe në Ohër. Por unë kam dyshime, pasi dëgjova gjitha këto deklarata të cilat më shumë janë për publikun e brendshëm sesa që i takojnë këtij organi të respektuar siç është Këshilli i Sigurimit. Por ne duhet të vazhdojmë, dhe do të vazhdojmë bisedimet, dhe jam e sigurt se, me këtë elitë pulitke të Serbisë apo të tjera, do të normalizojmë raportet tona, sepse nuk ka alternative tjetër”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla: Thaçi dhe të tjerët kanë çdo argument në anën e tyre

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, dhe të tjerët në Hagë që po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, janë të pafajshëm dhe argumentet janë në anën e tyre.

Për këtë ajo ka folur derisa i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në seancën e Këshilli të Sigurimit të OBK-së.

“Është e vërtetë që zotëri Thaçi është për momentin në Hagë, por unë besoj fuqimisht se ai do të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai vet, dhe të tjerët që janë të akuzuar, kanë çdo argument në anën e tyre, se janë të pafajshëm nga ato akuza, dhe nuk ja vlen asnjë koment më shumë lidhur me atë që thatë për mua, qoftë si dëshmitar, apo si diçka, pra ndërlidhjen time me çfarëdo dëshmie në Hagë, kjo është e pavërtetë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar se populli i Kosovës ka mbrojtur shtëpitë e tyre dhe ata nuk ishin terroristë, por ishin forcat serbe të sponsorizuara nga shteti i tyre.

Ministrja e Jashtme i ka thënë politikanit serb se ai dhe udhëheqësit në Serbi e kanë të vështirë të shpjegojnë për qytetarët se kanë humbur Kosovën në vitin 1999.

“Zotëri Daçiq, ju vetëm sa treguat sot pse njerëzit në Serbi ju kanë quajtur në vitet ‘90 Slloba i vogël, pra një Sllobodan i vogël, një Millosheviq i vogël, për shkak të bosit dhe heroit tuaj. E kuptoj se jeni i zemëruar dhe e njoh këtë gjuhë, sepse unë nuk jam në politikën evropiane që dy a tri vite, por shumë më gjatë, por ju duhet të ua shpjegoni qytetarëve tuaj në vendin tuaj, ju e keni të vështirë të ua shpjegoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999, por duhet të mbani retorikë të tillë. Unë mendoj që populli i Serbisë nuk meriton diçka të tillë. E vërteta dhemb, e di, mund të përdorni citate nga viti 1500 apo kur të doni, por e vërteta dhemb, më vjen shumë keq për ju”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla në OKB: Putini po çon trupa në Kosovë si në vitin 1999 

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për trupat e grupit “Wagner” në Kosovë këtë të enjte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ajo tha se presidenti rus, Vladimir Putin, si në vitin 1999 që ka çuar trupa në Prishtinë, këtë po e vazhdon edhe sot, teksa shtoi se pa prezencën e NATO-së në Kosovë do të kishte luftë.

“Në vend të sanksioneve ndaj agresorit, Rusisë, Serbia në mënyrë aktive e vë veten në dispozicion si inkupator për bizneset ruse. Prandaj, Serbia mbështet luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ajo para OKB-së s’ka vlerë sepse i ka ndihmuar Rusisë që në mënyrë barbare ta shkatërrojë Ukrainën”, tha Gërvalla.

Tutje, ajo tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, kanë qenë mbështetës entuziastë të një lufte të tmerrshme të Rusisë në Ukrainë.

Që nga miratimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.
Gërvalla në OKB: Daçiq është përgjegjës për krime lufte

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po vepron si ministër i propagandës, siç operonte nën pushtetin e Slobodan Millosheviq.  Ajo gjithashtu tha se ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq është përgjegjës për krime lufte të kryera në Kosovës.

Ajo deklaroi të enjten se Vuçiqi ishte dora e djathtë e Millosheviqit, ndërsa shtoi se presidenti serb s’ka kërkuar asnjëherë falje për krimet e kryera.

“Presidenti Vuçiq ishte ministër i propagandës për kryetarin Millosheviq dhe ai ende po vepron si ministër i propagandës. Njeriu i dorës së djathtë apo i kasapit të Ballkanit që është përgjegjës për luftërat e Ballkani, është personi që sapo foli para nesh. Ky ka shumë gabime në duart e tij. S’ka pasur fjalë të keqardhjes, në vend të kësaj ka përbuzje të viktimave…Daçiqi, tash ministër i Punëve te Jashtme është përgjegjës për vrasje masive dhe dhunim dhe duhet të sillet para drejtësisë para një tribunali për krime lufte”, tha Gërvalla.

Gërvalla në OKB: Daçiq foli serbisht, mua nuk m’u lejua që të flasë shqip

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz në fillim të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha se shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq u lejua që të flasë në gjuhën e popullit të tij në seancë, derisa asaj si përfaqësuese e Republikës së Kosovës nuk iu pranua kërkesa që të flasë në gjuhën shqipe.

Megjithatë, Gërvalla tha se fjalimin e saj do ta vazhdojë në gjuhën angleze.

“Edhe unë bëra kërkesë që të flasë në gjuhën shqipe, por diçka e tillë nuk mu aprovua. Megjithatë do të vazhdojë të flasë në gjuhën angaleze”, tha Gërvalla

Shefja e UNMIK-ut: Ndërtimi i besimit Kosovë-Serbi mund të sjellë normalizmin e raporteve

Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh, tha se udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd duhet të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm për të rindërtuar besimin në normalizimin e marrëdhënieve.

“Një përqëndrim i vazhdueshëm i vëmendjes në parimet dhe deklaratat e pohuara bashkërisht më 27 shkurt në Bruksel dhe të shtjelluara më tej më 18 mars në Ohër, duhet të shoqërohen me një udhëheqje të guximshme”, tha ajo

Shefja e UNMIK-ut theksoi se duhet të ndodh edhe zbatimit i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shikuar drejtë së ardhmës, Ziadeh shpreson se miratimi i pritshëm i një Deklarate të përbashkët për Personat e Zhdukur do të mundësonte rifillimin e bashkëpunimit të plotë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

“Kjo do t’u siguronte familjarëve nga të dyja palët, mundësinë të marrin përgjigje për më të dashurit e tyre”, tha ajo.

Ajo shtoi se zgjedhjet e 23 prillit në veri ishin të qeta.

“Siguria duhet të jetë për të kthyer besimin tek njëri-tjetri. Janë shfaqur pengesa të ndryshme. Po ashtu është shfaqur edhe vullnet që të afrojnë Prishtinën dhe Beogradin më afër njëri-tjetrit. Thyerja e besimit të të dyja palëve mund të sjell pasoja serioze për rajonin”, theksoi Ziadeh./21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button