Gërvalla: Janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësim në KE

(Lajm i përditësuar)
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla deklaroi se janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për dyvjeçarin e punës së Qeverisë së Kosovës, tha se tashmë Kosova ka një vend të respektuar në arenën ndërkombëtare.
“Në maj të vitit të kaluar, më pak se një vit më parë kemi dorëzuar kërkesën tonë për anëtarësim në Këshill të Evropës. Gjatë këtij viti janë bërë hapa të rëndësishëm drejt këtij anëtarësimi”, tha ajo.
Por, kryediplomates kosovare i reagoi deputetja opozitare e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se Gërvalla është e paditur dhe nuk ka njohuri në diplomaci.
Madje, sipas saj, ministren Gërvalla tashmë po e shpërfill edhe kryeministri Albin Kurti.
“Në krye të diplomacisë jeni jashtëzakonisht e paditur dhe nuk merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda ministrisë nuk ke bërë asgjë, bash asgjë. Kosova që nga ardhja juaj në pushtet, shërbim të jashtëm nuk ka, lobim edhe më hiç, njohje të reja as në shprehje nuk vijnë. Ndërsa, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është vetëm në formë dëshirore”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministrja Gërvalla këto pretendime të deputetes Musliu i konsideroi si shpifje.
“Nuk po keni për çka me u kap, prandaj shpikni situata të tilla që janë tërësisht qesharake”, u shpreh ajo.
Haxhiu përplaset me Tahirin se kush di më mirë për drejtësinë
Në seancën e sotme të Kuvendit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është përplasur me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, se kush di më mirë e më shumë për drejtësinë. Debati mes tyre në seancën e Kuvendit të Kosovës ka nisur pasi Haxhiu ka thënë se Tahiri ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komente për amandamentet për vettingun dhe se nga ky veprim është befasuar.
Haxhiu ka thënë se për vettingun ka menduar se kanë qenë të unifikuar pozitë e opozitë. Haxhiu ka treguar se çfarë thuhet në një pjesë të komenteve të dërguara nga Tahiri.
E ka quajtur të pakuptimtë qasjen e Tahirit, që ajo ka thënë se nuk e kupton si mund të mbesin në sistemin e drejtësisë prokurorë e gjyqtarë që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e tyre.
Ndërsa, Tahiri është kundërpërgjigjur duke thënë se Haxhiu nuk merr vesh nga drejtësia dhe këtë ka thënë ai, ajo “e ka dëshmuar shumë herë”. Ai është shprehur se askund nuk ndodhë që një gjyqtar të shkarkohet për shkelje disiplinore.
Ndërkohë, për fjalët që ka përdorur kundrejt Haxhiut, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se nuk mund të përdoren pasi siç ka theksuar është gjuhë seksiste.
Tahiri i është drejtuar Haxhiut se i ka lënë të gatshme punët sa ka qenë ai ministër i Drejtësisë dhe tani ato nuk po kryhen.
Haradinaj: Shko Albin pasi askush s’ka pa hajr prej teje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i kërkoi sot kryeministrit Albin Kurti që të lirojë detyrën, pasi siç tha ai, nuk ka pa hajr askush prej tij.
Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, Haradinaj i quajti gënjeshta gjitha sukseset ekonomike të paraqitura nga ana e kryeministrit Kurti.
“Mos harroni se asnjë vend nuk i nënshtrohet një njeri, e kam dëgjuar prej teje këta kryeministër. Dikur i ke thënë Hashim Thaçit në këtë foltore shko Hashim, shko se kjo, ajo, ta deshi puna dhe shkoi Hashimi. Çka është më mirë në këtë Kosovën tënde të lutem. Prej kur ke ardhur ti nuk po shoh se dikush ka pa hajr prej teje. Nuk e di që një profesionist i një sektori që të ka pa hajrin. Prandaj edhe unë po të them shko Albin se nuk po qet asgjë në dritë në Kosovë, veç nuk mundem më të thënë shko ku janë ata. Por shko ku dush ti, veç shko”, tha ai.
Ai kritikoi ekzekutivin edhe për mungesën e investimeve kapitale dhe punësimet familjare.
“Unë po i dëgjoj në foltore më falni këto rrenat për suksesin ekonomik. Shumë e thjeshtë është me matë rritjen ekonomike, gjendjen ekonomike në vend. Vetëm po iu dërgoj një pyetje kësaj qeverie pasi mendoj se të gjithë janë të mençme dhe i keni shkollat, po shihet çfarë. Tregomi kujt ju ka rritur fuqia blerëse në këtë vend. A ju ka rritur të punësuarve, a ka dikush i punësuar që sot e ka të rritur fuqinë blerëse. Qeveria kështu e matë mirëqenien e qytetarëve të vet”, përfundoi ai
Konjufca: Sjellja e Listës Serbe është e papërgjegjshme
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se ardhja e deputetëve të Listës Serbe në seancën e sotme të Kuvendit vetëm për t’u nënshkruar, pas pesë muajve mungesë është sjellja më e papërgjegjshme që mund të shihte në Kuvend.
Ai kërkoi nga administrata e Kuvendit që deputetët e Listës Serbe të privohen nga mëditjet e sotme, pasi qëndruan vetëm 10 minuta në sallë.
“Ajo çka bëri Lista Serbe sot me ardhjen pas 5 muajsh e sa ditëve në Kuvendin e Kosovës, vetëm për t’u nënshkruar është sjellja më e papërgjegjshme që mund të shohim në Kuvendin e Kosovës. Ata qëndruan për më pak se 10 minuta këtu në Kuvend dhe dolën menjëherë. Më e pakta që mund të kërkoj nga administrata është që të privohen nga mëditjet e sotme”, tha ai.
Pas betimit mbi pesë muaj më parë, deputetët e Listës Serbe nuk kanë shkuar në Kuvend asnjëherë, deri më sot. Në bazë të rregullores së Kuvendit, deputeti që mungon në seanca plenare për gjashtë muaj i merret mandati
Përplasen Murati e Gashi: S’do të ketë normalitet në Kuvend nëse bllokohen paratë e komunave
Ministri i Financave, Hekuran Murati u është përgjigjur shqetësimeve të kryetarit të Prishtinës dhe opozitës për bllokimin e bartjes së të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.
Ministri Murati në seancën parlamentare theksoi se kjo çështje rregullohet me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet që të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak bartën në vitin vijues.
Kurse, Grupi Parlamentar i LDK-së paralajmëroi se s’do të ketë normalitet në Kuvend nëse tentohet që të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale dhe komunave.
“Çështja që u ngritë, që kishte reaguar edhe kryetari i Prishtinës, për të hyrat vetanake, kjo çështje rregullohet me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, ku thuhet që të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës për vitin paraprak bartën në vitin vijues. Kjo çështje rregullohet pastaj edhe me Ligjin e Buxhetit, i cili e thotë të njëjtën gjë. Pra, të hyrat vetanake nga viti 2022 të bartën në vitin 2023 dhe kjo është në tërësi në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave publike. Madje, nëse u kujtohet ka qenë pikërisht ky nen, neni 9 paragrafi 6 që është amandamentuar nga Grupi parlamentar i LDK-së dhe është votuar edhe nga GP i Vetëvendosje. Pra, ligji për buxhetin e parash këtë, të cilin po e thotë deputeti Tahiri dhe ne po e zbatojmë ligjin të cilin e keni miratuar ju në kuvend”, theksoi Murati.
Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi theksoi se nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse bllokohen mjetet financiare të komunave.
“Mos bëni kësi skenash, sepse po na detyroni me shkuar në drejtimet të cilat pastaj janë të pakthyeshme. Ju garantoj se nuk do të ketë normalitet në këtë kuvend nëse tentohet që të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale dhe komunave. Nuk do të kalojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe ju premtoj në emër të GP të LDK-së se këtu nuk ka me pasur normalitet më”, theksoi Gashi.
Ndaj deputetit Gashi ka reaguar ministri Murati, ku theksoi se ajo çka shkruan në Ligjin e buxhetit duhet të zbatohet, dhe premtoi se nuk do ta shkelin atë.
“Amandamenti i GP të LDK-së i votuar nga kuvendi të cilin ne si qeveri duhet ta zbatojmë. Por nëse keni pasur problem si Grup parlamentar që ta përktheni atë që keni menduar në të shkruar, është problemi i juaj. Mirëpo, ajo çka shkruan në buxhet duhet të zbatohet, ne nuk mund të shkelim ligjin e buxhetit. Në ligj të buxhetit në nenin e amendamentuar nga ju thuhet që të hyrat vetanake nga viti 2022 bartën për vitin 2023 dhe kjo është në përputhje me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë”, theksoi ai.
Deputeti nga LDK-ja, Gashi nuk u ndal me keq, tha se kot e ka ministri Murati, nuk ka me pasur shans që parat e komunave me i marrë Qeveria.
“Krejt ai buxhet është i vitit 2022, kështu që kot e ke, nuk ke me pasur shans që parat e komunave me i marrë mbaje mend. Shans nuk ke me pasur, janë burime vetanake, sikur me ia marrë dikujt parat prej xhepit. Ligji dhe Kushtetuta e rregullon këtë çështje, kot je duke u munduar me bërë arsyetime pa lidhje, sepse është e drejt ekskluzive e komunave me menaxhuar me buxhetet e veta”, theksoi ai.
Bislimit i kërkohet dorëheqja në Kuvend, kritikohet edhe për gjuhë joparlamentare
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u “përplas” sot në seancën e Kuvendit me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshin.
Ishte deputetja opozitare, e cila e ballafaqoi kryenegociatorin për dialog me një deklaratë të tij të mëhershme në lidhje me Asociacionin, ku kishte thënë se në momentin kur formohet Asociacioni me apo pa kompetenca ekzekutive, ai nuk do të ishte më në atë pozitë.
Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi i tha deputetes Musliu se është i pakuptimtë epshi i saj për me marrë vëmendje publike.
Përdorimi i fjalës epsh nxiti reagim të deputetëve opozitarë, ku edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kërkoi Bislimit të ketë kujdes në fjalor.
Në lidhje me incizimin që iu paraqit në Kuvend, Bislimi tha se ai është vetëm një pjesë e shkëputur e intervistës së tij. Ndërkaq, ai theksoi se tani me marrëveshjen bazë të 27 shkurtit në Bruksel janë krijuar kushtet për të diskutuar për çështjen e minoriteteve.
“Është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike, është e parëndësishme. Është mirë që kur të përcjellë intervistat të përcjellni në tërësi dhe jo fjalinë. Në të njëjtën intervistë që ju i vijojeni thuhet si vijon: Për çështjen e minoriteteve do të diskutojmë atëherë kur sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionaliteti nuk është në pikëpyetje. Asnjëra prej këtyre kushteve nuk është përmbushur, as deklarata e 23 qershorit të vitit 2022. E nderuar deputete merreni marrëveshjen e 27 shkurtit dhe nxirreni konstatimi për atë që a vihet në pikëpyetje sovraniteti territorial, a kemi marrëveshje formale me Serbinë dhe çka thuhet për funksionalitetin e Kosovës”, tha ai.
Atij i reagoi deputetja Musliu-Shoshi, e cila tha se ofendimet janë argumentet më të forta të zëvendëskryeministrit Bislimi, derisa i vendosi sërish një incizim të kryeministrit Kurti, ku sipas saj, theksohet nga ana e tij formimi i Asociacionit.
“E thash që ofendimet i ke argumentet më të forta, mirëpo me mua nuk të shkojnë zotëri zëvendëskryeministër. Përgjigjen të jep luani apo kryeministri juaj. Pyetja ime është kur po jep dorëheqje pasi më nuk ke kredibilitet me qenë kryenegociator”, theksoi ajo.
Kurti: Po bëhemi gati për zgjedhjet në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë raportimit të tij në Kuvend tha k se po bëjnë gati të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen sa më të mirë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore më 23 prill.
“Në të njëjtën kohë u bëj thirrje qytetarëve në veri që të votojnë për kandidatët për kryetarë të komunave. Është shumë e rëndësishme që atje qytetarët pa dallim të dalin të votojnë dhe ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet. Jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet atje nuk janë të njëjta si në komunat shqiptare, pasi obstruksionet e Serbisë janë më të mëdha, edhe në aspektin mediatik edhe në mbetjen e strukturave paralele”, ka thënë Kurti në Kuvend të enjten.
Por Kurti e ka një paralajmërim për ata tentojnë ta cenojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar.
“E gjejë rastin të theksoj se pluralizmi politik dhe e drejta e votimit lirshëm te komuniteti serb janë të domosdoshme. Kushdo që dëshiron ta vijon ta cenojë këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër pos përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, ka thënë Kurti.
Haxhiu-opozitës: Ia keni zënë frymën sistemit të drejtësisë
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se rrëzimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese nuk është lajm i mirë për sistemin e drejtësisë, por është lajm i mirë për partinë opozitare dhe grupet e interesit të sistemit të dritësisë, të cilët sipas saj ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë.
“Lidhur me aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese për Ligjin për KPK-në, nuk është lajm i mirë për dritësinë, është lajm i mirë vetëm për juve si parti opozitare dhe grupeve të interesit brenda sistemit të drejtësisë, të cilat ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit ka thënë se përgjegjës për këtë janë vet ata dhe vet sistemin i drejtësisë.
“Sa kanë përgjegjësi sistemi i drejtësisë për mosveprim dhe për neglizhencë, po aq keni edhe ju përgjegjësi që e keni ndryshuar e shtrydhur sistemimin e drejtësisë për interesat e juaja personale. Me qeverinë Kurti nuk do të ndodhë më ashtu, sistemi i drejtësisë do të jetë i pavarur, transparent, efikas, e llogaridhënës”, tha Haxhiu.
Sipas saj, aktgjykimi i Kushtetueses është lajm i keq për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët sipas saj, mbështetja që kanë marrë si parti nga qytetarët kanë qenë zotimet e tyre për drejtësi dhe punësim.
Ajo në fund ka thënë se nuk do ta lejojmë korporatizmin brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Tahiri pyet Qeverinë: Mbi çfarë baze po ndalohet shfrytëzimi i të hyrave vetanake të komunave
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka akuzuar Qeverinë se po ia ndalon komunave të Kosovës, shfrytëzimin e të hyrave vetanake, duke e shkelur Kushtetutën dhe ligjin për buzhet të miratuar në vitin 2022.
Tahiri në seancën e Kuvendit, tha se më 15 dhjetor 2022 ka kalur ligji për buxhet, të të cilin neni 9.6 i referohejë bilanceve të pashfrytëzuara të komunave të kalojnë në Fondin e Kosovës, e që është ndryshuar me amendamentin e LDK-së, në mënyrë që t’i jepet e drejt komunave që t’i përdorin të hyrat vetanake.
“Unë nuk e di a e dinë kryeministri, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që është e pa drejt, është anti-kushtetuese dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejt në një institucion kushtetues që ofron shërbime në të gjitha komunat e Kosovës, ndalja dhe pengesa e shfrytëzimit të të hyrave vetanake, a e kuptoni që nuk mundeni me këtë qasje dhe nuk mundeni me ndal, e keni letrën prej Asociacionit të Komunave, letrën e kryetari të kryeqytetit, mbi çfarë baze i ndaleni të hyrat vetanake a ka mundësi me shpejgu, ministri, kryeministri, ndalone se jeni duke i penguar edhe komunat e juaja që i keni, nëse e keni për ta ndërhyrë një pushteti të pavarur kushtetues, atëherë duhet ta dini se do të vazhdojë saga e shkeljeve kushtetuese”, tha ai.
Vajza e Gani Gecit me fjalë të rënda për Thaçin në Kuvend, ndërhyn Konjufca
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetja Marigona Geci, vajza e Gani Gecit ka thënë se ish-Presidenti Hashim Thaçi ka tentuar të “shkatërrojë” familjen Geci.
“Thaçi paska tentuar ta shkatërrojë familjen time dhe babain tim. Edhe në vitin 1945 Bosnja e ka djegë dhe kanë tentuar ta shkatërrojnë familjen time, por ka shpltuar babagjyshi im Ademi, 6 vjeç ishte në atë kohë, ndërsa tani përveç gjashtë xhaxhallarëve të mi dhe babait tim jemi edhe 120 anëtarë të tjerë. Mbajeni në mend se familjen time e babain tim s’ka mundur ta shkatërrojnë UDBA e Millosheviqi e jo po e shkatërron Hashim Haxhi polari prej Buroje”, tha Marigona Geci në Kuvendin e Kosovës.
Pas kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Kujdes fjalorin parlamentar të nderuar deputetë, kur t’iu referoheni figurave publike”, ka thënë Konjufca, pas fjalës së deputetes së LDK-së.
Musliu: ZRrE t’i lirojë nga pagesat e rrymës kategoritë e dala nga lufta
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të nxjerrin vendim për lirimin nga pagesa e faturave të rrymës, kategoritë e dala nga lufta.
Musliu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se bordi i ZRRE-së ka marrë vendim për shtrenjtimi e energjisë elektrike për 15 përqind dhe kjo rritje do të jetë për të gjitha kategoritë.
“Ky shtrenjtim i rrymës në kohën kur qytetarët po ballafaqohet me luftën e tyre për ekzistencë është i papranishëm dhe i papërballueshëm për qytetarët e vendit. Ky shtrenjtim i rrymës nuk i prek qytetarët në veri të Mitrovicës, të cilët vazhdojnë çdo ditë të jenë të privilegjuar nga Qeveria e Kosovës. Me këtë vendim po thellohet pabarazia duke shkelur të drejtat e qytetarëve të pjesës jugore të Mitrovicës. Se me këtë shtrenjtim bëhet një diskriminim në baza etnike tashmë është deklaruar edhe Këshilli për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”, tha ajo, derisa pati edhe një kërkesë për kategoritë e luftës, për të cilat tha se nga institucionet e shtetit janë lënë pas dore në çdo aspekt.
“Kërkojë nga ZRRE që të nxjerr një vendim dhe t’i lirojë nga pagesat e faturave të rrymës të gjitha kategoritë e dala nga lufta, siç janë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invaliditet e UÇK-së. Është e rënd dhe tërësisht e papranueshme që kjo kategori të nëpërkëmbët e të mos trajtohet me dinjitet. Është e papranueshme dhe skajshmërish e dhimbshme që të shohësh duke u prangosur veteranë e invalid të UÇK-së në pamundësi për të paguar faturat e rrymës. Rastin më të freskët e patëm në Mitrovicë, ku në pamundësi të pagesës u arrestua dhe u prangos veterani i UÇK-së, Besim Musa”, tha ajo.
Hoti: Qeveria po synon t’i vendos nën kontrollë institucionet e pavarura
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thënë se Qeveria në pushtet ka tendencë për të vendosur kontroll mbi disa institucione që ai thotë se sipas Kushtetueses janë të pavarura.
Hoti ka përmendur disa institucione të cilat sipas tij kanë mbetur pa funksion.
“Banka Qendrore, Trusti, departamentet e Ministrisë së Financave dhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit janë institucionet që kanë mbetur pa funksion. Qeveria po synon t’i vendosë nën kontroll”, është deklaruar Hoti.
Ai ka shprehur kritika edhe ndaj presidentes të Republikës së Kosovës e cila sipas Hotit që një vit nuk po e dekreton Kryeprokurorin e ri.
Ndryshe, gjatë kësaj seance, pritet që kryeministri Albin Kurti t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën dyvjeçare të qeverisë së udhëhequr prej tij.
Hoxha: Dëshmitarët po vdesin, nuk jemi kujdesur t’i legjitimojmë rrëfimet e luftës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se nuk është bërë mjaftueshëm për të ruajtur dëshmitë e luftës së fundit në Kosovë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se dëshmitarët po vdesin dhe shumë rrëfime nuk janë legjitimuar si kujtesë kolektive.
Ajo ka përmendur masakrat, dëbimet, dhunimet e vrasjet, që Serbia i ka kryer mbi civilët shqiptarë gjatë luftës së fundit.
“Kjo dhimbje nuk vjetërsohet, por vjetërsohen e zbehen për vit vetëm kujtimet e rrëfimet tona sepse as nuk i kemi ruajtur e as shënjuar mjaftueshëm, sa duhet dhe si duhet. Sepse dëshmitarët e parë po vdesin, ne nuk jemi kujdesur që këto rrëfime t’i legjitimojmë si kujtesë kolektive në një rrëfim që na përfaqëson të gjithëve pa dallim”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka thënë se në vend të kërkimit të drejtësisë si viktima të luftës, po kërkohet drejtësi për çlirimtarët të cilët po gjykohen në Hagë.
“Si për ironi, sot historia jonë duket e rrokullisur dhe e përmbysur, ku në vend se të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi si viktima të luftës së fundit, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë. E ata që dikur marshuan drejt lirisë, të dielën Prishtina ishte e vogël për t’i përqafuar zemrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova u bë bashkë për historinë e saj, Kosova u bë bashkë për të vërtetën e saj, Kosova duhet të jetë bashkë për të ardhmen e saj, që të mos lejojmë padrejtësi të reja në emër të drejtësisë”, ka thënë Hoxha.
Lista Serbe rikthehet në Kuvend
Pas pesë muajsh mungesë deputetët e Listës Serbe sot janë kthyer në Kuvendin e Kosovës.
Rikthimi i tyre është përcjellë edhe me debat mes deputetësh.
Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai mungon 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se nuk është bërë mjaftueshëm për të ruajtur dëshmitë e luftës së fundit në Kosovë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se dëshmitarët po vdesin dhe shumë rrëfime nuk janë legjitimuar si kujtesë kolektive.
Ajo ka përmendur masakrat, dëbimet, dhunimet e vrasjet, që Serbia i ka kryer mbi civilët shqiptarë gjatë luftës së fundit.
“Kjo dhimbje nuk vjetërsohet, por vjetërsohen e zbehen për vit vetëm kujtimet e rrëfimet tona sepse as nuk i kemi ruajtur e as shënjuar mjaftueshëm, sa duhet dhe si duhet. Sepse dëshmitarët e parë po vdesin, ne nuk jemi kujdesur që këto rrëfime t’i legjitimojmë si kujtesë kolektive në një rrëfim që na përfaqëson të gjithëve pa dallim”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka thënë se në vend të kërkimit të drejtësisë si viktima të luftës, po kërkohet drejtësi për çlirimtarët të cilët po gjykohen në Hagë.
“Si për ironi, sot historia jonë duket e rrokullisur dhe e përmbysur, ku në vend se të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi si viktima të luftës së fundit, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë. E ata që dikur marshuan drejt lirisë, të dielën Prishtina ishte e vogël për t’i përqafuar zemrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova u bë bashkë për historinë e saj, Kosova u bë bashkë për të vërtetën e saj, Kosova duhet të jetë bashkë për të ardhmen e saj, që të mos lejojmë padrejtësi të reja në emër të drejtësisë”, ka thënë Hoxha.
Lista Serbe rikthehet në Kuvend
Pas pesë muajsh mungesë deputetët e Listës Serbe sot janë kthyer në Kuvendin e Kosovës.
Rikthimi i tyre është përcjellë edhe me debat mes deputetësh.
Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai mungon 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit.