Gërvalla në Monako, në fokus anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka nisur një vizitë zyrtare në Monako ku do të zhvillojë takime me krerë të institucioneve më të larta shtetërore.

Siç bën të ditur zyra e saj për media, në fokus të kësaj vizite të Gërvallës në këtë shtet do të jetë anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Gërvalla atje do të pritet në takim nga homologia e saj, Isabelle Berro-Amadeï, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Fabrice Notari dhe përfaqësues të tjerë.

“Vizita e Ministres Gërvalla në Monako është një mundësi e mirë e zhvillimit dhe fuqizimit të raporteve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve”.

“Principata e Monakos ka mbështetur Kosovën në fushën e telekomunikimit, duke i mundësuar përdorimin e kodit telefonik, asistencë në instalimin dhe funksionalizimin e telefonisë mobile në Kosovë, në procesin e deritanishëm të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, mbështetje në fushatën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, anëtarësimin në Kartën Rinore Evropiane – EYCA etj“, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Back to top button