Gërvalla në Vjenë: Serbia po tregohet destruktive në procesin e dialogut

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj në Austri, është takuar me ministren Federale të Austrisë për Çështje të BE-së dhe Kushtetutës, Karoline Edtstadler, me të cilën ka biseduar mbi sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Gërvalla theksoi faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, dhe shprehu mirënjohje për përkrahjen e Austrisë për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Ajo vuri gjithashtu në pah rolin e Austrisë në proceset evropiane për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Gërvalla, gjatë ditës u takua në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë, edhe me ambasadorët e QUINT-it në OSBE, Michael Carpenter (SHBA), Neil Busch (Mbretëri e Bashkuar), Gesa Bräutigam (Gjermani), Christine Fages (Francë) dhe Stefano Baldi (Itali). Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë në OSBE, Eglantina Gjermeni.
Sipas një komunikate për media, Gërvalla vuri në pah vështirësitë me të cilat Kosova po ballafaqohet gjatë procesit të dialogut në Bruksel, duke theksuar qasjen destruktive dhe bllokuese të Serbisë, e cila është kthyer në pengesë serioze në këtë proces. Ajo vuri në pah nevojën e një dialogu më efikas, i cili në qendër të tij ka njohjen e reciproke.
Gërvalla i njoftoi ambasadorët rreth procesit të nisur të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përmbushjes së vazhdueshme të gjithnjë e më shumë kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe nevojën për një liberalizim të menjëhershëm të vizave.
Ambasadorët u njoftuan rreth progresit që Kosova ka arritur gjatë vitit të kaluar në ekonomi, sundim të ligjit, transparencë institucionale, demokraci dhe liri të mediave, suksese këto të dokumentuara nga mekanizma dhe organizata ndërkombëtare si FMN, Transparency International, Reporterë pa kufi etj./21Media

Back to top button