Gërxhaliu: Të mendohet më shumë për sektorin privat

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gëxhaliu, deklaroi se ka ardhur koha që institucionet të mendojnë më shumë për sektorin privat. Sipas tij, pakënaqësitë e këtij sektori janë në rritje prandaj qeveria duhet të ulet në dialog.
Bizneset janë duke u përballur me sfida të ndryshme, varësisht nga veprimtaria e tyre, për shkak të pandemisë COVID-19 por edhe agresionit rus në Ukrainë.
Gërxhaliu tha se 2022 do të mbahet mend si vit kur nuk pati dialog mes shtetit dhe sektorit privat ndërsa ky vit duhet të jetë vit kur do të flitet për shqetësimet e privatit.
Duke përmendur edhe rritjen e pagave për punëtorët, ai thotë se deri më tani duhej të kishte rritje të pagës minimale, një projektligj ky i mbetur mes dy leximeve në Kuvendin e Kosovës.
“Në një kohë kur kemi inflacioni afër 20%, në një kohë kur çmimet janë në një rritje të pakontrolluar dhe të kemi këtë neglizhencë institucionale që të mos kemi të paktën pagë minimale për sektorin privat është një mjerim që e karakterizon Kosovën. Vërtetë viti 2022 do të mbahet mend si një ndër vitet kur nuk ka pasur dialog dhe partneritet të mirëfilltë publiko-privat, nuk ka pas dëgjim të zërit të sektorit privat dhe qytetarit. Besoj se është koha kur duhet të mendohet më tepër për sektorin privat, sepse në fund në qoftë se nuk ka dialogim me sektorin privat, si mund të arrihen të hyra historike siç janë paraparë me buxhetin 2023. Andaj, pakënaqësitë në sektorin privat çdo ditë janë më të mëdha, vet fakti se Kosova është shndërruar në një shtet për të ikur dhe jo për të qëndruar, brenga kryesore në këtë drejtim po shihet vërtetë dialogu nuk ka alternativë tjetër. Sa më shpejtë të kuptohet rëndësia e sektorit privat, dialogu duhet të jetë mekanizëm kyç për tu afruar”, theksoi Gërxhaliu.
Gërxhaliu deklaroi se vendet e rajonit kanë bërë hapa më të avancuar për të ndihmuar bizneset e qytetarët në një kohë në rritje të inflacionit, ndërsa në Kosovë ka pasur vendim ad-hoc dhe të natyrës sociale.
“Në qoftë se bëhet një analizë me vendet e rajonit, është e vërtetë se qeveritë e shteteve kanë bërë hapa më të avancuar për të mbrojtur edhe qytetarët, por edhe për të ndihmuar bizneset. Në Kosovë ka pasur hapa të caktuar, mirëpo shumë më tepër kanë qenë hapa të natyrës sociale me veprime ad-hoc, qoftë për pensionistë, studentë apo për të moshuar, besoj se Kosovës nuk i duhet të shndërrohet në një shtet social por duhet që të shndërrohet në një shtet që garanton qëndrueshmëri ekonomike, zhvillim ekonomik, sundim të rendit të ligjit, stabilitet politik dhe vërtetë të kemi një rimëkëmbje ekonomike”, tha Gërxhaliu.
Duke folur për Ligjin e pagave për sektorin publik, Gërxhaliu tha se për herë të parë ndodh që një ligj të procedohet në instanca më të larta pa qenë në dijeni koeficienti paraprak.
Derisa tha se kjo praktikë duhet t’i takojë të kaluarës dhe ligji duhet të jetë të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Mes tjerash, Gërxhaliu tha se çdo koeficient që do të jetë nën shkallën 120 euro, do të sjellë pakënaqësi.
“Një ndër problemet më të mëdha të cilat po ballafaqohet një ligj i tillë është sa do të jetë koeficienti. Besoj se tentativa që të gjithë të jenë të barabartë është një qasje e gabuar, andaj duhet të kemi koeficiente të cilët do ta matin rëndësinë e sektorit të shëndetësisë, arsimit, segmente të sigurisë dhe të tjerëve, por besoj se një lojë me koeficient është mjaftë e rrezikshme në aspektin e motivimit të te punësuarve në administratë. Besoj se është koha kur duhet të kemi kategorizim, kritere të cilat duhet përmbushen dhe në këtë drejtim vërtetë duhet të kemi kujdes që përmes fillimit të zbatimit të një ligji të tillë të mos kemi ulje të pagave në emër të ngritjes, por të kemi një motiv shtesë. Dhe çdo koeficient që do të jetë nën shkallën 120, vërtetë do të sjell pakënaqësi, dhe jo vetëm në administratë por me siguri do të sjell pakënaqësi edhe në sektorin privat”, tha Gërxhaliu./kp

Back to top button