Gjenden mbetje mortore të 6 personave në Prekaz, dyshohen të jenë nga lufta e fundit

Policia e Kosovës njofton se gjatë gërmimeve-kërkimeve në Prekaz të posjtëm të Skenderajt, janë hasë disa mbetje mortore (gjetje eshtërore) që dyshohet të jenë të disa personave nga lufta e fundit.

“Më datë, 09 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të 6 (gjashtë) personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia po ashtu bën të ditur se hulumtimet në këtë lokacion konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, por puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera.

“ Me këtë rast, ftohen edhe një herë gjithë ata që mund të kenë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse.”, përfundon njoftimi i policisë./21Media

Back to top button