Gjenden mjete shpërthyese afër Gazimestanit

Policia e Kosovës konfirmon rastin

Një mjet i dyshimtë është gjetur në afërsi të rrugës magjistrale Prishtinë- Mitrovicë, konkretisht në rrugicën e hyrjes së Gazimestanit. Kjo për rtv21.tv është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili ka sqaruar se në bazë të informatave të deritanishme ky rast nuk ndërlidhet me Gazimestanin.

“Me të pranuar informatën në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, duke përfshirë njësinë për trajtimin e mjeteve shpërthyese. Fillimisht për shkaqe sigurie është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes në perimetër të caktuar, duke përfshirë edhe bllokimin e segmentin rrugor për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme policore.”, ka bërë të ditur Kelani.

Në anën tjetër Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka konfirmuar për kallxo.com se sasia e eksplozivëve të gjetur në Gazimestan është 15 kilogramë.

“Po është e vërtetë, rreth 15 kilogramë eksploziv janë gjetur në rrugën për Gazimestan. Eksplozivi ka qenë i rregulluar dhe ka qenë gati për të shpërthyer në kohën për të cilën është paraparë nga persona që e kanë rregulluar”, ka thënë Imer Beka/21Media

Back to top button