Gjendja e rënduar, zjarrfikësit kërkojnë ndihmën e shtetit

 

Me rastin e 4 majit Ditës ndërkombëtare të zjarrfikësve, sindikata e zjarrfikësve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me gjendjen e vështirë që po mbretëron në këtë shërbim.

Në një deklaratë për media, sindikata iu bën thirrje institucioneve qendrore dhe atyre lokale që t’i vizitojnë sot shërbimet zjarrfikëse dhe shpëtimit që drejtpërdrejt të njoftohen mbi problemet dhe sfidat që ballafaqohen zjarrfikësit vite me radhë.

“Ftojmë institucionet vendimmarrëse që urgjentisht të shtrohet kjo çështje, të analizohet gjendja e shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të krijohen kushte normale për punë, siguri në punë, të rritet gatishmëria emergjente që ky shërbim të jetë funksional dhe të arsyetojë themelimin, misionin e shenjtë të zjarrfikësve shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale”, thuhet ndër tjera në deklaratë.

Për më tepër, Sindikata e zjarrfikësve të Kosovës kërkon ndërmarrjen e veprimeve të pushtetit qendror dhe lokal me qëllim të përmirësimit të gjendjes aktuale për zjarrfikësit.

“Shpresojmë se viti tjetër këtë shërbim ta gjejë në kushte më të mira, të sigurohet buxhet, të definohen kompetencat menaxhuese, një organizim te mirë, të përgatitur për sfidat e ndryshme që mund të paraqiten në situata emergjente”, thuhet ndër tjera në deklaratë.

Kërkesat e kësaj sindikate për institucionet kanë filluar që nga viti -2010, por siç thonë ata asnjëherë nuk treguan gatishmëri për të zgjedhur problemet dhe situatën e krijuar./21Media 

Back to top button