Gjenerali rus thotë se u shkarkua pasi akuzoi liderët e ushtrisë se tradhtuan trupat në Ukrainë

Një komandant i lartë rus, Ivan Popov, thotë se u shkarkua nga posti i tij pas mosmarrëveshjeve me oficerët e lartë të ushtrisë ruse lidhur me situatën në Ukrainë. Një mospajtim i tillë publik brenda ushtrisë ruse është i pazakontë, pas pak më shumë se 500 ditë lufte në Ukrainë.

Ankesat e gjeneralmajorit Popov, të cilat u publikuan nga një ligjvënës i njohur rus më 12 korrik, sugjerojnë se po vazhdojnë mospajtimet edhe pas rebelimit të muajit të kaluar nga forcat mercenare Wagner dhe udhëheqësit të tyre, Yevgeny Prigozhinit.

Rebelimi, në të cilin rreth 5.000 ushtarë të Wagner-it u nisën drejt Moskës, zgjati rreth 24 orë. Por, ky rebelim u cilësua si sfida më e madhe për 23 vitet e Vladimir Putinit si figurë kyçe e Rusisë dhe shumë vëzhgues kanë parashikuar se Kremlini mund t’i largojë komandantët ushtarakë ose figurat politike nga postet e tyre shkaku i këtij incidenti.

Një oficer i njohur i ushtrisë, gjenerali Sergei Surovikin, i cili shërbeu për një kohë të shkurtër si komandant i përgjithshëm për luftën në Ukrainë dhe besohet të jetë një aleat i ngushtë i Prigozhinit, nuk është parë që nga rebelimi i 24 qershorit.
Në audio-incizimin katërminutësh të publikuar, Popov, që ishte komandant në rajonin jugor të Zaporizhjas në Ukrainë, tha se ishte ankuar te shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Rusisë, gjenerali Valery Gerasimov, për nevojën e rotacionit të trupave në fushëbetejë.

Zaporizhja është një nga disa zonat ku forcat ukrainase e nisën muajin e kaluar një kundërofensivë të shumëpritur. Trupat e saj kanë bërë përparime të ngadalta dhe luftimet raportohet të jenë intensive.

Popov thotë se ngriti shqetësimin brenda ushtrisë lidhur me mungesën e luftimeve kundër stacioneve të zbulimit të artilerisë dhe për vdekjen e ushtarëve rusë në lidhje me këtë mungesë.

“Ushtria jonë nuk mund të thyhej në front, nga forcat e armatosura të Ukrainës. [Në vend të kësaj] ne u goditëm me një goditje nga prapa nga komandanti i lartë; duke i prerë kokat e ushtrisë në mënyrë të pabesë dhe të neveritshme në momentin më të vështirë dhe të tensionuar”, dëgjohet Popov në audio-incizim.

“Kishim një situatë të vështirë me shefat e lartë, ku duhej ose të heshtje e të ishe frikacak ose ta tregoje ashtu siç është”, tha ai.
Lajmi për shkarkimin e Popovit u shfaq fillimisht në një kanal në Telegram që ka lidhje me grupin Wagner, ku thuhej se Gerasmiov e shkarkoi atë pasi e akuzoi për “dezinformim dhe alarmim”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur nëse zëri që dëgjohet në audio-incizim është i Popovit. Disa blogerë ushtarakë rusë dhe një numër i vogël i ligjvënësve u duk se konfirmuan se Popov ishte personi në ato incizime.

Ndonëse mbetet e paqartë nëse kritika e Popovit synohej të publikohej, ajo është ankesa e parë e këtij lloji nga një oficer në shërbim, veçanërisht pasi që ajo vjen nga një komandant i lartë.

Deri më 13 korrik, as Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe as komandantët e lartë nuk e kanë komentuar publikisht shkarkimin apo dorëheqjen e Popovit.

Back to top button