Gjermania akrediton atasheun e mbrojtjes së Kosovës

 
 
Nënkoloneli Besim Gashi, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të shërbejë për herë të parë si atashe i mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, pasi kjo e fundit ka marrë vendim për njohjen e statusit të plotë të atasheut të mbrojtjes.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në Facebook.
Sipas tyre, njohja e statusit të atasheut të mbrojtjes të Republikës së Kosovës nga Gjermania është bërë në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, si dhe në kuadër të forcimit dhe avancimit të këtyre marrëdhënieve.
“Gatishmëria e Gjermanisë, shtet mik dhe partner strategjik i Kosovës, për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin është tregues i qartë se Ministria e Mbrojtjes ka vizion të qartë në ndërtimin dhe fuqizimin e mirëbesimit dhe bashkëpunimit me shtete partnere siç është Gjermania”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Nënkolonel Gashi pranoi detyrën zyrtarisht nga paraardhësi i tij, atasheu i sigurisë, kolonel Xhavit Sadrijaj dhe u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani Beqë Cufaj.
Gjatë javës, pritet që nënkolonel Gashi të zhvillojë takimet e para me autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë, Bundeswehr-it, për të vazhduar me takimet me homologët nga kori i atasheve të akredituar në Gjermani./21Media

Back to top button