Gjermania “epiqendër” e virusit

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka bërë të ditur se situata me pandeminë është përkeqësuar gjatë javës së kaluar dhe tani është shumë më serioze.
Kur u pyet për mundësinë e vendosjes së masave të reja kufizuese ai tha: “Jemi në një situatë ku nuk mund të përjashtojmë asgjë”.
Komentet erdhën pasi dhoma e lartë e parlamentit gjerman, Bundesrat miratoi kufizime të reja për të frenuar rastet e reja me Covid-19.
Në dy javët e fundit, numri i rasteve të reja është rritur më shumë se 60%.
Të premten, Gjermania regjistroi 52,970 raste të tjera me Covid-19, një ditë pasi regjistroi mbi 65,000 raste ditore, një rekord që nga fillimi i pandemisë.
Zyrtarët shëndetësorë po paralajmërojnë se numri do të dyfishohet në ditët në vijim.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Gjermane për Kujdesin Intensiv të Brendshëm, Uwe Janssens tha se numrat janë absolutisht shqetësues.
“Aktualisht, rreth 0.8% e njerëzve të infektuar do të duhet të trajtohen më tej në një njësi të kujdesit intensiv gjatë rrjedhës së një infeksioni,” tha Janssens.
Sipas rregullave të reja, e ashtuquajtura incidenca e shtrimit në spital do të jetë standardi i ri për futjen e rregulloreve më të ashpra të COVID në vend .
Gjermania ka hyrë në një “gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare” për shkak të rritjes së infeksioneve të koronavirusit. Lothar Wieler, kreu i Institutit Robert Koch, tha se kujdesi i rregullt mjekësor nuk mund të garantohet më në disa pjesë të vendit, sepse spitalet dhe repartet e kujdesit intensiv janë të tejmbushura.
Forcat ajrore gjermane konfirmuan një raport të Bild se po përgatitej të ndihmonte transferimin e pacientëve në klinika me shtretër të lirë./21Media

Back to top button