Gjobë dhe dënim me 8 muaj burg për burrin që ushtroi dhunë në gruan e tij

 

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, sot ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit R.K., për shkak se ka kryer veprën penle ”dhuna në familje”.

Me rastin e kryerjes së kësaj vepre penale, Gjykata të akuzuarin  R.K., e gjykon me dënim me gjobë në shumën prej 400 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve.

”Me datë 23 maj 2021, në Prizren, ka kryer dhunë ose keqtrajtim psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes të vazhdueshme me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, për arsye të xhelozisë nga ana e të akuzuarit, i njëjti të dëmtuarën – bashkëshorten e tij në prezencë të fëmijëve të tyre i bën presion psikologjik duke e akuzuar të dëmtuarën se është duke e tradhtuar dhe se po komunikon në rrjete sociale, duke i cenuar dinjitetin e të dëmtuarës”, është bërë e ditur në komunikatë.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar. Gjithashtu, gjyqtari i procedurës, të akuzuarit R.K., pas shpalljes së aktgjykimit, i ka vazhduar paraburgimin dhe atë nga data e ndalimit me datë 23.05.2021 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media

Back to top button