Miratohet kërkesa e Thaçit për të zëvendësuar avokatin mbrojtës

 

Ish-presidenti Hashim Thaçi më 20 maj ka parashtruar kërkesën për ndryshim në ekipin e tij mbrojtës.

Gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Nicolas Guillou, ka miratuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të caktuar Gregory W.Kehoe, si avokat të ri mbrojtës.

Kehoe do të zëvendësojë ish-mbrojtësin e tij kryesor, David Hooper.

Në vendimin e Guillou, Hooper është urdhëruar që t’i sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme avokatit të ri, si dhe të vazhdojë të respektojë kodin e sjelljes profesionale, pas përfundimit të funksionit si avokat kryesor i ekipit mbrojtës të Thaçit.

Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u arrestuan me urdhërarrest të Gjykatës Speciale.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar dhe është dërguar për në paraburgimin e kësaj gjykate. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen janë nisur edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovë kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999./21Media

Back to top button