Gjobiten 204 qytetarë në Prizren

Në realizim të vendimit të Qeverisë për masat parandaluese për luftimin e pandemisë COVID-19, policia rajonale në Prizren, ka shqiptuar 204 fletëparaqitje për mosrespektim të masave.
“Në aktivitetin e punës, zyrtarët policor gjatë 24-orëvë kanë gjetur parregullsi dhe për këtë janë shqiptuar gjithsej 204 fletëparaqitje për mos respektim të masave për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar kërkesat nga vendimi i Qeverisë. Ndërsa në dy raste janë asistuar Inspektorët”, njofton Policia e Kosovës.
Gjatë zbatimit të këtyre masave, njësitë policore janë angazhuar në orar shtesë në punë, duke monitoruar zbatimin e masave nga qytetarët, sidomos në respektimin e orarit të kufizimit të qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00-05:00.
Dje kanë hyrë në fuqi masat  e ashpërsuara antiCOVID19, dhe për të siguruar që këto masa të respektohen, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se do të gjashtëfishohet numri i inspektorëve.
Me 85 inspektorë të rinj që do angazhohen, Kurti ka thënë se duhet të rritet edhe cilësia e inspektimit./21Media 

Back to top button