Sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID

 
Nga sot  kthehet ora policore për të gjithë qytetarët që fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00.
Edhe maska është e detyrueshme gjithandej, përveç në tri raste: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe; Gjatë ngrënies apo pijes.
Bibliotekat, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, pezullojnë aktivitetin e tyre deri me datë 13 shtator 2021. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet.
Me masat e reja, ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve. Ndërsa në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.
Po ashtu, ndalohen shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Dje ishte ditë e zezë për Kosovën, pasi u shënuan 36 viktima nga COVID-19, numri më i lartë i të vdekurve në ditë që kur u shfaq pandemia në mars të vitit 2020. /21Media

Back to top button