Gjobitet zyrtari që nxori këmbën jashtë dritares në veturë zyrtare

Policia e Kosovës ka gjobitur një zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës, i cili në cilësinë e pasagjerit në veturë zyrtar të kësaj ministrie, kishte penguar drejtuesin duke nxjerr këmbën jashtë dritares.
Me këtë veprim, i njëjti, sipas Policisë, ka shkaktuar kundërvajtje në komunikacion dhe pengim mbi kontrollin e retrovizorit gjatë vozitjes.
“Kjo kundërvajtje u shkaktua në rrugën magjistrale Ferizaj-Gjilan, në fshatin Sojevë të Ferizajt. Policia, e ftoi zyrtarin B.I (M/K) 60 vjeçar, në Njësinë Rajonale të Komunikacionit të Ferizajt dhe ai në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar dhe për këtë mori gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor. Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, inkurajon qytetarët, si në këtë rast, që të njoftojnë policinë, pa hezitim, për kundërvajtjet e ndryshme, që mund të shkaktohen në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë./21Media

Back to top button