Kurti për skemën sociale: Heq diskriminimin dhe familjet e varfëra mbështeten nga Qeveria

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të shtunën morën pjesë në lansimin e “Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale” në Kosovë, nga ku shefi i Qeverisë u shpreh se me këtë projekt nuk do të ketë më diskriminime.

Kurti gjatë prezantimit ka përmendur “punët e mira” të Qeverisë për t’i ndihmuar kategoritë e caktuara.

“Qysh në shtator të vitit 2021 ndihmuam me shtesat për lehona e fëmijë. Deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë që përfitojnë nga këto skema. Ndamë mbi 100 milionë euro për të mbështetur pensionistët dhe për skemat tjera sociale. Si Qeveri nuk u ndalëm por vazhduam me ndihma në disa sektorë. Fokusi ynë ishte reformimi rrënjësor i sistemeve e politikave që ishin keq të dizajnuara. Dizajni i skemës aktuale sociale është diskriminues sepse në momentin që fëmija në një familje mbush moshën 5-vjeçare dhe atij i është ndërprerë ndihma”, ka thënë Kurti.

Derisa, Ministri Murati bëri të ditur se kanë dizajnuar një skemë tjetër që nuk do të jetë diskriminuese.

“Mënyra qysh është dizajnu mekanizmi i trajton anëtarët e familjes si anëtar që mund të punojnë ose që nuk mund të punojnë. Ajo kategori janë: Personat të cilët mund të jenë prind të vetëm dhe kanë fëmijë nën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, ata që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara, gratë gjatë shtatzanisë, njëri nga prindërit që përkujdeset për fëmijën do të trajtohen si persona që janë në kërkim për një vend pune dhe do t’u ofrohen trajnime dhe vende pune që këto familje të mos mbeten vetëm me asistencë sociale”, ka thënë Murati.

Ai tutje bëri të ditur se si do të funksionojë skema e re.

“Sa i përket skemës së re apo pilotimit të ri është i hapur që sot dhe mund të qaseni përmes E-Kosovës dhe të plotësoni të dhënat për familjen dhe të dhënat merren dhe përpunohen nga komisioni. Pas aplikimit për asistencë sociale, aplikimi kalon në disa faza dhe fillimisht është testi i varfërisë. Pas testit të të ardhurave vjen edhe testi i pasurisë, pas kësaj është edhe testi i mjeteve financiare të përafërta, pastaj vjen edhe tek vizitat në terren që do të bëhen nga anëtarët e QPS-ve dhe pastaj bëhet verifikimi”, tha Murati

Back to top button