Gjokoviq fiton betejën gjyqësore për të qëndruar në Australi

Tenisti serb, Novak Gjokoviq do të lirohet nga qendra e ndalimit. Kjo u bë e ditur sot (10 janar) me vendim të Gjykatësit të çështjes Anthony Kelly, duke e konsideruar “të paarsyeshëm” vendimin e Qeverisë për të refuzuar hyrjen e tij në Australi.
Sipas gjyqtarit Kelly, Gjokoviq duhet të lirohet menjëherë pas vendimit të gjykatës dhe të gjitha dokumentet, përfshirë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit do t’i kthehen atij.
Në kohën e shpalljes së vendimit, jashtë gjykatës pati ngazëllim në mesin e komunitetit serbo-australian.
Rreth 100 mbështetës të yllit të tenisit u vendosën jashtë gjykatës gjatë seancës. Para kësaj, ata kaluan ditë jashtë hotelit ku Gjokoviq besohej se qëndronte gjatë ndalimit të tij, transmeton rtv21.tv
Nuk është ende e sigurt se Gjokoviq do të luajë në Australian Open që fillon më 17 janar.
Avokatët e qeverisë kanë paralajmëruar se ministri i imigracionit i Australisë ka fuqinë ekzekutive për të rrëzuar vendimin e gjykatës.
Nëse kjo ndodh, gjyqtari paralajmëroi se Gjokoviq, aktualisht tenisti numër një në botë për meshkuj, nuk do të jetë në gjendje të kthehet në Australi për tri vjet./21Media

Back to top button