Gjoshi: Zyrtarët si Izmaku duhet të lëshojnë rrugë për kuadro të reja premtuese

Anëtari i kryesisë qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi sot komentoi dorëheqjen e ish-deputetes Xhevahire Izmaku nga PDK pasi nuk arriti të bëhet pjesë e kryesisë.
Gjoshi tha për Kp se reformat e nisura në PDK po u pengojnë disa zyrtarëve që janë mësuar të mbajnë pozita e privilegje tash e 20 vjet.
Ai u shpreh se reforma duhet kuptuar drejt që ë parti duhet tu krijohet hapësirë edhe kuadrove të reja premtuese që punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Znj. Izmaku po largohet sepse nuk ka mbështetje në asnjë nivel të organizimit partiak. Në degë ka tentuar të imponojë qëndrimet e saj, por s’ka gjetur përkrahje. Po ashtu, ka kërkuar shumë që të bëhet pjesë e kryesisë qendrore, por nuk ka pasur mbështetje as këtu. Reforma nënkupton që zyrtarët si znj. Izmaku që kanë përfituar pozita e privilegje për mbi 20 vite, duhet të lëshojnë rrugë edhe për kuadrot e reja premtuese. Angazhimi politik që shihet vetëm përmes prizmit të pozicionimeve personale të momentit nuk është parimor, sepse interesi personal nuk duhet të mbisundojë interesin e përgjithshëm”, tha Gjoshi për kp.
Ai theksoi se pavarësisht përpjekjes për sabotim si në rastin e Xhevahire Izmakut, dega ne Vushtrri dhe kandidati për kryetar, Ferit Idrizi, janë favoritë për t’i fituar zgjedhjet e 17 tetorit.
Gjoshi po ashtu u shpreh se PDK megjithatë e respekton të drejtën e largimit të Izmakut dhe i dëshiron shëndet e punë të mbarë.
Ndryshe, sot Xhevahire Izmaku ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në PDK.
“Sot më duhet ta shkruaj statusin ma të padëshiruar në jetën time politike prej 20 vitesh! Unë po jap dorëheqjen dhe po largohem nga PDK, duke nisur nga: Dorëheqje nga pozita e anëtares se Këshillit Drejtues; Nënkryetares së degës së PDK-së në Vushtrri dhe përfundimisht nga të qenurit-Anëtare e PDK-së!”, ka deklaruar ajo përmes një postimi në “Facebook”. Këtë dorëheqje Izmaku e ka arsyetuar me mosbesim në projektin dhe vizionin e PDK-së.

Back to top button