Gjykata serbe i cakton 30 ditë paraburgim kosovarit që u arrestua në kufi, MPJD jep detaje për RTV21

Kosoavri Sadik Duraku i cili është arrestuar më 17 prill nga policia serbe  në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi sot ka dalë para gjykatës dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Kështu ka konfirmuar për portalin rtv21.tv Leutrim Sahiti, Këshilltar Politik i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. Ai ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale.”, tha ai.

Sipas Sahitit pas arrestimit, Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit.

“Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Familjarët e z. Duraku kanë theksuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe avokati mbrojtës ka konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse.”, thuhet në përgjigjen e Sadikut për portalin rtv21.tv.

Po ashtu ai njoftoi se Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse.

“Ambasadori Jashari poashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin. Ambasadori Jashari poashtu ka bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për lejim të vizitës së tij e cila pritet të realizohet ditët në vijim.”, njoftoi ai./21Media

 

 

Back to top button